TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Siç mund të parashikohej, çështja “Enrikez Negreira” ishte e pranishme edhe në konferencën e fundit për shtyp të trajnerit të Barcelonës, Ksavi Hernandez, përpara ndeshjes së kthimit kundër Junajtidit në Ligën e Europës sot në “Old Trafford”.
Pak orë më parë u shtua edhe deklarata e Karl Hainc Rumeniges, ish-lojtar, ish-zëvendës president dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Bajernit të Mynihut, e cila i hodhi benzinë më tej zjarrit në lidhje me akuzat ndaj Barçës për ndërhyrje tek arbitrat.
“Kam qeshur kur lexova këtë lajm, por nuk më habit: sa herë që luanim në Spanjë ndieja një ndjesi të çuditshme”, tha Rumenige, i cili u përball me katalanasit vetëm gjashtë herë kur luante për Realin.
“I respektoj të gjitha mendimet, edhe atë të dikujt si Rumenige, por nuk e kam ndierë kurrë se më kanë ndihmuar të fitoj tituj. As në Europë, as në Spanjë. Është e sigurt”, tha Ksavi.
Ai shtoi se Barcelona duhet të përballet sot me skuadrën më të mirë të Junajtidit në shumë vite: “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Junajtidi është një prej skuadrave më të mira në Europë sot dhe po e tregon këtë në çdo ndeshje. Ten Hag është duke bërë një punë të shkëlqyer. Ata janë një skuadër që tregon intensitet, mentalitet, pasion, ritëm.
Duhet të matemi me atë në çdo nivel, të tregojmë personalitet dhe qëndrojmë besnik ndaj stilit tonë. Junajtidi është duke luajtur futbollin më të mirë në shumë vite. Por është një shans i mirë për të treguar se edhe Barcelona mund të konkurrojë gjithashtu. Ne kemi ardhur këtu me dëshirën dhe pasionin për të rivalizuar. E dimë që do të jetë e vështirë, por kemi një skuadër të aftë për t’u kualifikuar”.
Shumë zëra ka edhe për një rikthim të Mesit në “Camp Nou” këtë verë, pasi t’i skadojë kontrata me PSG-në dhe Ksavi nuk e përjashtoi: “Lojtari më i mirë në botë dhe në histori do të përshtatej gjithnjë. Nuk kam asgjë për të shtuar. E kam thënë që kjo është shtëpia e tij dhe dyert i ka të hapura, kështu që nuk mund të shtoj më shumë”.