SPORT, 22 Shkurt 2023, 13:37

Saki i shkruan Milanit dhe Piolit: Kthehuni sa më shpejt në origjinë, mbrojtja me tre nuk është zgjidhje

Saki i shkruan Milanit dhe Piolit: Kthehuni sa më shpejt në

Parantezë e nevojshme: sezonin e kaluar Mi lani i mahniti të gjithë duke fituar me meritë titullin pavarësisht se kishte investuar më pak se klubet e tjera. E bëri me elementë të rinj pak të njohur dhe me të tjerë më “të sprovuar” që mundën të jepnin entuziazëm përmes lojës, duke propozuar një futboll argëtues dhe modern, sipas standardeve aktuale ndërkombëtare.

SINDROMA — Më pas ndodhi diçka që nuk ishte e vështirë të parashikohej: sindroma e suksesit bllokoi ekipin. Ata djem nuk ishin mësuar të fitonin. Dhe Pioli gjithashtu filloi të frikësohej dhe, për të korrigjuar e ndalur “hemorragjinë” e pikëve, u mbështet në taktika.

Kështu pamë mbrojtjen me tre lojtarë, e cila në realitet është me pesë lojtarë, sepse dy anësorët kthehen gjithmonë për të luajtur si mbrojtës krahu.

Në këtë mënyrë, një lojtar, kur nuk janë dy, u jepet kundërshtarëve dhe është e vështirë të propozosh lojë. Taktika, në Itali, ende shpërblehet, por mbani mend se një taktikë gjithmonë humbet përballë një strategu.

Pioli ishte bërë strateg, tani do të më vinte keq ta gjeja në radhët e takticienëve. Le t’i bëjmë vetes një pyetje të thjeshtë: Cila skuadër italiane ka fituar më shumë Champions-e? Milani, sepse pothuajse gjithmonë ka luajtur futboll strategjik.

STRATEG – Ekziston edhe një çështje tjetër për t’u trajtuar: trajneri strateg në qendër të projektit vendos gjithmonë lojën.

Loja, jo vetëm që nuk dëmtohet kurrë, por është edhe falas. Nga ana tjetër, taktika ka nevojë për kampionë të mëdhenj, të cilët me paraqitjet e tyre duhet të kompensojnë mungesën e organizimit të përgjithshëm, por kampionët e mëdhenj kushtojnë shumë dhe kështu buxhetet e klubeve shkojnë në rënie.

Milani ishte në rrugën e duhur sepse po ndiqte synimin për të dominuar në fushë, për të sulmuar kundërshtarin përmes presingut dhe më pas iu rikthyen së shkuarës.

E kam fjalën për të kaluarën e futbollit italian. Etërit themelues të këtij sporti kishin menduar për një sport ofensiv dhe ekipor.

Këtu kemi humbur këto karakteristika origjinale, duke e shndërruar atë në një sport mbrojtës dhe individual. Por kjo nuk është rruga që duhet ndjekur për të mahnitur publikun.

Pioli ishte arkitekti që projektoi krijesën e shkëlqyer të sezonit të kaluar dhe ishte në gjendje të fitonte përmes inteligjencës dhe ideve, bujarisë dhe guximit.

Milani i tij gjithmonë luante me njëmbëdhjetë lojtarë në pozicion aktiv, siç bën aktualisht Napoli. Ndaj, shpresoj që të kthehet në atë rrugë dhe këtë mund ta bëjë vetëm nëse beson fort në idetë e veta.

APEL — Stefano, mos harro kurrë se munde të ndërtoje një ekip nga e para, që shumë nga lojtarët e tu u vërshëllyen nga turma, se të tjerët ishin të panjohur dhe kishte mosbesim.

Megjithatë, me punë, përkushtim, sakrificë dhe ide, bëre një kryevepër. Tani mos e shtrembëro krijesën tënde, mos lejo që të joshesh nga taktika të lehta sepse në planin afatgjatë ato nuk shpërblehen kurrë.

Dija nuk të mungon dhe te Milani ke pasur mundësinë ta shtosh, sepse është një mjedis që e transmeton, tani mbetet vetëm ta zbatosh në praktikë: Në këtë mënyrë ka risi dhe guxim.

Lënia e lojës në dorë të kundërshtarëve, veçanërisht nëse ata kanë cilësi të jashtëzakonshme individuale, është një lloj vetëvrasjeje. Ndoshta në Itali mund t’ia dalësh, por ndërkombëtarisht është e vështirë.