SPORT, 17 Janar 2026, 12:16

Ruud Van Nistelrooy rikthehet si ndihmës në stafin e ekipit kombëtar të Holandës

Ruud Van Nistelrooy rikthehet si ndihmës në stafin e ekipit

Trajneri dhe ish-futbollisti Ruud van Nistelrooy do të jetë ndihmës i trajnerit Ronald Koeman në ekipin kombëtar të futbollit të Holandës, duke filluar nga shkurti, njoftoi sot federata holandeze (KNVB).

“Ruud van Nistelrooy do t’i bashkohet stafit të trajnerëve të ekipit kombëtar holandez nga 1 shkurti. Ish-sulmuesi i ekipit kombëtar do të jetë asistent i trajnerit Ronald Koeman në përgatitje për Kupën e Botës të këtij viti.

Me mbërritjen e tij, stafi i trajnerëve do të ketë tre asistentë, përveç Erwin Koeman dhe Wim Jonk”, deklaron Federata Holandeze në faqen e saj zyrtare të internetit.

Ish-lojtari i kombëtares rikthehet për herë të tretë si ndihmëstrajner në ekipin kombëtar, pas periudhave të mëparshme midis viteve 2014/2015 dhe 2021.

“Kthimi në ekipin kombëtar holandez në këtë rol dhe përfaqësimi i Holandës me këtë staf trajnerësh dhe skuadër të talentuar është një nder i madh dhe një sfidë e mrekullueshme për mua. Fakti që kjo po ndodh në skenën e një Kupe Bote e bën atë edhe më të veçantë”, tha ish-lojtari, i cituar nga KNVB.

Pasi u tërhoq nga futbolli, Van Nistelrooy, 49 vjeç, drejtoi gjithashtu ekipet e të rinjve të PSV-së, shërbeu si asistent dhe trajner kryesor - për katër ndeshje - te Manchester United para mbërritjes së Ruben Amorim, dhe ishte trajner i Leicester.

Në Kupën e Botës 2026, Holanda do të jetë në Grupin F, së bashku me Japoninë, Tunizinë dhe fituesin e play-off-it të UEFA-s, ku përfshihen ekipet kombëtare të Ukrainës, Suedisë, Polonisë dhe Shqipërisë.