SPORT, 14 Shkurt 2023, 09:25

Rikthehen Mesi-Mbape, Nejmar: Sonte duel bërthamor, do të shihni Parisin më të mirë

Rikthehen Mesi-Mbape, Nejmar: Sonte duel bërthamor, do të shihni

Kristof Galtie, trajneri i PSG-së, do të jetë me të gjithë artilerinë e rëndë sot kundër Bajernit të Mynihut, në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions-it.

Sulmuesi francez ka lënë pas problemin muskulor në kofshë, pavarësisht se mendohej se do ta humbiste takimin e sotëm pas lëndimit ndaj Montpeliesë në fillim të muajit dhe u parashikua të qëndronte tri javë jashtë.

Ndërsa sulmuesi argjentinas pësoi një tërheqje në Kupën e Francës kundër Marsejës dhe mungoi në transfertën me Monakon këtë fundjavë. Edhe kampioni i botës u stërvit me grupin një ditë më parë dhe duket se do ta fitojë garën për të qenë në skuadër për sfidën ndaj kampionëve të Gjermanisë.

Po aq i rëndësishëm për kampionët e Francës është edhe rikthimi i Verratit në stërvitje: mesfushori italian mungoi në ndeshjen kundër Monakos për shkak të një problemi të vogël.

NEJMAR – Në konferencën për shtyp të parisienëve, Galtie u shfaq me Nejmarin. Sulmuesi brazilian tha se këto janë ndeshjet që i pëlqejnë dhe premtoi se do të jetë një ndeshje bërthamore kundër Bajernit: “Situata jonë nuk ka shpjegim. Mendoj se momente të vështira kalojnë të gjitha skuadrat. Por ne duhet të jemi të fokusuar dhe përmirësojmë situatën.

Jemi të ndërgjegjshëm se kemi pika të dobëta, por jam i sigurt se do të shihni nesër (sot) Parisin më të mirë. Unë jam shumë optimist dhe kam vetëbesim. Që kur kam qenë në Europë, kam qenë gjithnjë në formë të shkëlqyer. I njoh cilësitë dhe aftësitë e mia. Jam me këmbë në tokë. Me Bajernin është një ndeshje bërthamore.

Ne jemi të përgatitur për të. Kemi një skuadër shumë të mirë për të luajtur një ndeshje të shkëlqyer. Kundër Bajernit dy vite më parë unë kam luajtur një prej ndeshjeve më të mira me fanellën e PSG-së.

Nëse është më e mira nuk e di. Më pëlqen të luaj kundër këtyre skuadrave. Tani është momenti për të treguar aftësitë e mia. Me Mbapenë jemi më të fortë. Fola me të dhe më tha se ndihet mirë. Shpresoj që të mund të luajë disa minuta”.