SPORT, 28 Nëntor 2025, 14:57

Renditja UEFA i buzëqesh sërish Italisë; skuadra e 5 në Champions League nuk është më një mirazh

Renditja UEFA i buzëqesh sërish Italisë; skuadra e 5 në

Pesë fitore në 7 ndeshje në raundin më të fundit në kompeticionet evropiane ku vetëm Interi dhe Fiorentina humbën e ndihmuan jo pak Italinë në renditjen e UEFA në garën për skuadrën e pestë pjesëmarrëse në edicionin e radhës në Ligën e Kampioneve.

Në këtë moment, Italia është në vendin e trete të klasifikimit me 9 571 pikë, shumë pranë Gjermanisë që është në vendin e dytë, pozicioni i fundit i vlefshëm për të shtuar numrin e skuadrave pjesëmarrëse në sezonin e ardhshëm të kompeticionit më të rëndësishëm për klube.

Në krye të klasifikimit me një diferencë të konsiderueshme është Anglia me 10 944 pikë të grumbulluara nga 9 skuadrat e impenjuara në të gjitha kompeticionet UEFA, Champions, Europa dhe Conference League. Vendimtare për këtë pozicionim të Italisë në renditjen e UEFA rezultuan fitoret e Juventusit dhe Napolit e sidomis Atalantës që mposhti një rival ‘direkt’ si Eintrachti i Frankfurtit

Sigurisht që rruga drejt një prej dy vendeve të para është akoma e gjatë për Italinë, kjo edhe për faktin se skuadrat që e ndjekin janë shumë prane. Portugalia është në vendin e 4-t me vetëm 171 pikë më pak se Italia dhe  në raundin e ardhshëm është ndeshja mes Benfica dhe Napolit, që është shumë e rëndësishme jo vetëm për kampionët e Italisë. E papritur është prania e Qipros në vendin e 6 me pikë të barabarta me një superfuqi të futbollit evropian si Spanja ndërkohë që përpara tyre është Polonia.

RENDITJA E PËRDITËSUAR E UEFA

Anglia 10.944
Gjermania 9.857
Italia 9.571
Portugalia 9.400
Polonia 9.375
Qipro 9.250
Spanja 9.250
Franca 8.267
Danimarka 8.125
Greqia 7.100