TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nëse ka një futbollist të lidhur me një shifër, momentalisht është Rei Manaj me numrin 8.
Sulmuesi i Kombëtares ka shënuar në 8 ndeshjet e fundit të Sivasporit në shtëpi. Një rekord në karrierën e Reit, i cili po kalon një sezon fantastik në kampionatin turk. Në total Manaj ka shënuar 18 herë deri tani, por sa i përket serisë së golave, 27-vjeçari e nisi me dy rrjeta nga pika e bardhë e penalltisë me Gaziantepin në 21 janar. Ndërkohë, e radhës ishte fitorja në shtëpi me Beshiktashin me golin e Manajt që ishte i vetmi.
Po ashtu sfidën pasuese me Rizesporin, lushnjari shënon golin e vetëm, e më tej tund rrjetën në fitoren 4-1 kundër Pendiksporit. Në të vetmen humbje në shtëpi në 8 ndeshjet e fundit, atë me Alaniasporin, Manaj shënon golin e vetëm për Sivasporin. Më pas, në minutën e 88-ë i jep fitoren ekipit të tij ndaj Karagumrukut, barazon në shtesë Fenerbahçen në 2-2 nga penalltia të cilën e fitoi po vetë dhe goli i 8-të radhazi në shtëpi erdhi fundjavën e kaluar, në fitoren 1-0 kundër Koniasporit.
VENDIMTAR ME GOLAT Aq sa numri i golave radhazi të shënuar në shtëpi, aq herë ka qenë vendimtar Rei Manaj gjatë këtij sezoni. Në plot 8 raste sulmuesi i Kombëtares ka qenë protagonist kryesor dhe i ka dhënë fitoren Sivasporit 7 herë në kampionat, duke koleksionuar 21 pikë dhe një herë në Kupën e Turqisë. Një fakt tjetër që bie në sy te statistikat e sulmuesit janë minuta kur ka shënuar. Në dy raste ai ka gjetur rrugën e rrjetës në pjesën e parë, ndërsa është treguar “vrasës” para portës pas minutës së 80-ë.
Konkretisht, golat e Manajt që janë cilësuar si vendimtarë kanë qenë në minutën e 81’, dy herë në 86- ën, 88-ën, 90+3 dhe dy herë në 90+7, duke treguar se sulmuesi është tepër i rrezikshëm në minutat e fundit. Edhe pse 3 gola mbrapa Ikardit dhe 2 pas Xhekos, Rei është ende në lojë për çmimin e golashënuesit më të mirë në Turqi, ku kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga përfundimi. Kjo performancë e ish-sulmuesit nuk mbeti pa u vënë re nga Silvinjo, i cili e ftoi në miqësoret e muajit mars dhe me shumë mundësi do të jetë edhe në përgatitjet e Europianit. Por jo vetëm, Manaj ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha në Turqi dhe jashtë saj. Vera ka për të qenë me të vërtetë e nxehtë për Rei Manajn.