SPORT, 15 Shkurt 2023, 09:30

Raporti i UEFA-s, të ardhurat e vjetshme janë 6 mln euro/ Shqipëria bie me 13 vende, në fund edhe nga… paratë

Raporti i UEFA-s, të ardhurat e vjetshme janë 6 mln euro/

Në editorialin e publikuar pak ditë më parë nga Qendra e Inteligjencës së UEFA-s, janë nxjerrë shumë raporte të ligave europiane dhe klubeve përgjatë 2021- 2022-shit, sipas vitit financiar, ku jepen të ardhurat që kanë grumbulluar federatat.

Një raport i detajuar për financat dhe me shumë detaje për futbollin europian, në krahasim edhe me periudhën e pandemisë. Sa u përket të ardhurave, Shqipëria renditet në vendin e 52-të në Europë, duke lënë pas vetëm dy shtete, Andorrën dhe San Marinon.

Në total të ardhurat për vitin që po flasim janë 6 milionë euro, aq sa Mal i Zi dhe Gjibraltari dhe poshtë nesh renditen San Marino dhe Andorra me të ardhura prej 3 milionë euro.

Këtu përfshihen të ardhura nga shitja e të drejtës televizive, të ardhura nga UEFA, të ardhura nga shitja e biletave, sponsorët dhe reklamat dhe të ardhura të tjera.

RËNIA- Nga raporti që është bërë në vitin 2019, Shqipëria përveç se ka humbur 13 vende në renditjen e kampionateve më rezultative në Europë për vitin 2022, po ashtu ka humbur pozita edhe në renditjen e të ardhurave që federatat mbledhin për futbollin.

Në 2019-ën dhe në vitin 2020 të ardhurat ishin sërish 6 milionë euro, por me kalimin e kohës shtetet e tjera kanë rritur të ardhurat, çka ka bërë që Shqipëria të mbetet në vend sa i përket grumbullimit të të ardhurave dhe kështu ka zënë vendet e fundit në renditje.

Në vitin 2018, totali i të ardhurave ishte 7 milionë euro, duke u renditur në vendin e 47-të nga të gjitha shtetet e Europës.

Një vit më vonë, të ardhurat ulen me një milion dhe në 2020-ën mbeten njësoj, por nga ana tjetër kjo ka sjellë rënien në renditjen e përgjithshme, duke kaluar në 5 vendet e fundit nga të gjithë ligat në Europë.

PESË MË TË MIRAT- Sa u përket gjenerimit të të ardhurave nga ligat më të forta në Europë, e para mbetet Anglia, teksa më pas në renditje është Gjermania, që në ndryshim nga një vit më parë ka pasur një rritje dhe ndryshe nga Spanja, që i ka ulur të ardhurat me 7%.

Rritje ka pasur edhe futbolli italian, që ka rritur pas pandemisë të ardhurat me 25%. Ndërkohë pas Italisë, në renditjen e të ardhurave mes pesë më të mirave renditet Franca.