SPORT, 16 Dhjetor 2022, 21:13

Ranieri: Mbape është lojtari më i ngjashëm me Ronaldo “Fenomenin”

Ranieri: Mbape është lojtari më i ngjashëm me Ronaldo

Na ndajnë vetëm dy ditë nga finalja e madhe Argjentinë-Francë, dhe të gjithë kanë nisur komentet mbi dy yjet e skuadrave si Lionel Mesi dhe Kilian Mbape.

Një ndër ta është edhe trajneri i njohur italian Klaudio Ranieri. Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ ai është shprehur se Mbape është lojtar më i ngjashëm me Ronaldo “Fenomenin”. Ranieri pret që edhe finalja e Botërorit të jetë një ndeshje spektakolare.

“Pjesëmarrja e Francës në Botëror ka qenë e shkëlqyer deri më tani. Tçuameni ka bërë mirë dhe ata kanë Mbapenë, i cili është aq i shpejtë sa duket pothuajse i pandalshëm. Ndoshta ai është lojtari më i ngjashëm me Ronaldo “Fenomenin”. Argjentina dhe Franca kanë klas dhe forcë. Ndoshta Argjentina ka një avantazh të vogël. Është meritë e Skalonit. Lojtarët e ndjekin atë që ai kërkon dhe rezultatet janë në dukje. Kush do të fitojë të dielën? Është e pamundur të parashikohet rezultati i këtyre ndeshjeve. Të dyja skuadrat janë vdekjeprurëse në kundërsulm, ndaj skuadra që shënon e para mund të ketë avantazh, veçanërisht Franca, sepse ka Mbape. Nga ana tjetër, Mesi nuk është dukur kurrë më vendimtar sesa tani. Ai u bë lider teknik dhe karizmatik i Argjentinës. Ai bën gjithçka, madje edhe gola të jashtëzakonshëm dhe është një kampion që po bën histori”, deklaroi Klaudio Ranieri.