SPORT, 22 Shkurt 2023, 09:25

“Provokon” Partizani / 200 tifozë në derbi për Tiranën, të kuqtë duan të luajnë në stadiumin e tyre

“Provokon” Partizani / 200 tifozë në derbi për

Partizani do të presë ndeshjen derbi të radhës më datë 6 mars në llogari të javës së 24-t të Kategorisë Superiore. Stadiumi ku do të luhet ndeshja më e madhe e kampionatit shqiptar nuk është përcaktuar ende, por së fundmi është zbuluar një skenar, që mund ta spostojë derbin në stadiumin e ri të Partizanit.

Drejtuesit e kuq kanë shprehur dëshirën ta organizojnë në shtëpinë e vet derbin, por për momentin mbetet thjesht në këtë kuadër. E vetmja pengesë në këtë dëshirë të presidentit Gazment Demi është kapaciteti i shtëpisë së të kuqve.

I ftuar në “Procesi Sportiv” ishte drejtori sportiv i të kuqve, Elton Marini, që nuk e përjashtoi si mundësi, megjithëse fokusi i tij mbetet ndeshja e ardhshme.

“Ne presim të luajmë me Kukësin, pastaj do të mendojmë për derbin. Sa i përket vendndodhjes, ne jemi ekipi pritës. “Air Albania” ka më shumë kushte për të fituar më tepër nga biletat. Nuk e kemi vendosur akoma se ku do ta luajmë derbin, ka ditë përpara. Ne plotësojmë kushtet për të dhënë 5 përqindëshin e tifozëve”, tha Marini.

Stadiumi i ri i Partizanit mund të presë maksimumi deri në katër mijë tifozë, një numër që, për derbin, është shumë i pamjaftueshëm, pasi në ndeshje të tilla mblidhen rreth 15 mijë tifozë në “Air Albania”.

Gjithsesi, është klubi i Partizanit që e vendos se ku do të luhet ndeshja dhe dëshira deri më tani është që të zhvillohet në stadiumin e tyre.

E vetmja burokraci është marrëveshja me policinë, nëse këta të fundit mund të arrijnë të kontrollojnë lëvizjen e tifozëve.

Edhe ky është një mision i arritshëm, duke pasur parasysh faktin se priten vetëm rreth 300-400 tifozë të Tiranës. Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar i Partizanit.