SPORT, 13 Janar 2026, 20:39

Probleme sigurie nga moti i keq në Gjermani: Shtyhet ndeshja mes Hamburgut dhe Bayer Leverkusen

Probleme sigurie nga moti i keq në Gjermani: Shtyhet ndeshja mes Hamburgut

Pas anulimit të ndeshjes mes St. Pauli dhe Leipzig në stadiumin Millerntor gjatë fundjavës, edhe sfida mes Hamburgut dhe Bayer Leverkusen nuk do të zhvillohet sipas planit.

Liga Gjermane e Futbollit (DFL) bëri të ditur vendimin përmes një komunikate zyrtare, të publikuar rreth dy orë e gjysmë përpara fillimit të ndeshjes, e cila ishte parashikuar të luhej mbrëmjen e së martës në orën 20:30.

Arsyeja e shtyrjes së takimit lidhet me probleme serioze sigurie në zonën e tifozëve, pasi një sasi e madhe akulli mbi çatinë e stadiumit po shkrihej me shpejtësi, duke krijuar rrezik për publikun.

“Për shkak të rreziqeve strukturore që lidhen me kushtet meteorologjike në zonën e çatisë së stadiumit, ndeshja e Bundesligës mes Hamburgut dhe Bayer Leverkusen nuk mund të zhvillohet të martën në mbrëmje. Volksparkstadion u mbyll në minutat e fundit. Një vendim për datën e re të zhvillimit të ndeshjes do të merret sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në komunikatën e Ligës Gjermane të Futbollit.

Autoritetet dhe organizatorët kanë theksuar se siguria e tifozëve dhe e lojtarëve mbetet prioritet absolut, ndërsa pritet të bëhet e ditur së shpejti data e re e zhvillimit të kësaj sfide.