SPORT, 17 Shtator 2022, 22:42

Pioli shton presionin: Nesër një nga sfidat e titullit, Napoli ka talente

Pioli shton presionin: Nesër një nga sfidat e titullit, Napoli ka

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka dalë përpara mediave për ndeshjen e nesërme ndaj Napolit. Tekniku i kuqezinjve nuk heziton ta quajë si një ndeshje që mund të ndikojë shumë në rrugëtimin për titullin kampion.  Pioli, gjithashtu, vlerëson edhe rivalin.

“Mund të themi se tashmë është një nga sfidat e Scudetto-s. Dy skuadra shumë të ngjashme dhe në të njëjtat kushte, kështu që do të jetë interesante. Tifozët tanë do të na japin një shtysë shtesë”, janë fjalët e para të Stefano Piolit në prag të përballjes me Napolin.

Si ndryshon Milani pa Leaon? “Pres një ndeshje të vështirë ndaj një ekipi të madh. Edhe ne kemi cilësi dhe nuk kanë rëndësi mungesat, por puna ekipore, shpirti dhe cilësia. Më shumë mundësi Saelemaekers luajë në vend të Leaos. Nuk dua t’u heq asgjë lojtarëve të mi, por forca jonë është mënyra se si luajmë si ekip. Fillojmë 11 kundër 11 me të njëjtat vlera dhe të njëjtat ambicie”.

Napoli? “Skuadër që ka talente dhe një trajner shumë të aftë si Spalletti që i bën lojtarët të luajnë mirë. Më pas merkato e lejoi të merrte lojtarë jo aq të njohur, por që u shkrinë menjëherë me pjesën tjetër të ekipit”.

Milani apo Napoli më i fortë? Ndeshjet duhet të luhen, pas ndeshjes do të mund të them se ku do të kemi qenë superiorë apo inferiorë ndaj Napolit. Jemi dy skuadra të ngjashme për nga loja dhe qëndrim”, tha Pioli.