SPORT, 10 Dhjetor 2022, 14:35

Peshëngritje/ I nënti në shkëputje dhe dështim në shtytje, Briken Calja e mbyll Botërorin pa medalje

Peshëngritje/ I nënti në shkëputje dhe dështim në

Briken Calja, përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që po mbahet në Bogota të Kolumbisë, ka përfunduar konkurrimin e tij në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Calja garoi në Baterinë A të kategorisë së peshave 73 kg, por nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve, madje shtërmenasi nuk u klasifikua dot as në dygarësh, pasi dështoi në stilin e shtytjes.  Kujtojmë se 32-vjeçari vinte në këtë kompeticion madhor të shtangës pasi kishte lënë prapa krahëve dëmtimim e Europianit të disa muajve më parë, ndërsa kishte treguar një formë shumë të mirë në testet para Botërorit.

Në të tretën kërkoi medaljen me 154 kg, por nuk ia doli që ta ngrinte, duke e mbyllur kështu shkëputjen me 150 kg për tu renditur i nënti.

Duhet theksuar se  150 kg regjistruan edhe sportistët e klasifikuar në vendet 6, 7 dhe 8, por u renditën më lart se peshëngritësi kuqezi pasi e kishin realizuar para tij këtë peshë.

Në stilin e shtytjes, Calja dështoi në provën e parë me 185 kg, ndërsa më pas nuk e vazhdoi më garën, duke mos u klasifikuar dot në dygarësh.

Kujtojmë se Briken Calja vinte në këtë aktivitet si kampion në fuqi i botës në stilin e shkëputjes dhe nënkampion në shtytje e dygarësh, pas rezultateve historike të regjistruara një vit më parë në Uzbekistan.

MEDALISTËT – Për sa u përket medaljeve në katgorinë 73 kg, në stilin e shkëputjes të artën e fitoi indoneziani Rizki Juniansyah me 155 kg.

E argjendta shkoi për bullgarin Andrev Bozhidar me 154 kg dhe e bronzta për kazakistanasin Alexey Churkin me 153 kg.

Në stilin e shtytjes ishte një tjetër indonezian që tronditi, Rahmat Erwin Abdullah, i cili vendosi rekord të ri botëror me 200 kg, duke bërë të tijën medaljen e arit.

Argjendi u fitua nga bashkëkombësi e tij Juniansyah me rezultatin 192 kg, ndërsa medaljen e bronzit e mori Churkin me 190 kg.

Ndërkohë për sa i përket dygarëshit, kampion u shpall Abdullah me rezultatin total 352 kg. Ndërsa podiumi u plotësua nga Juniansyah dhe Churkin, të cilët regjistruan respektivisht 347 dhe 343 kg.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL