SPORT, 21 Nëntor 2023, 10:08

Partizani me dy rikthime “big”, 11-shja bëhet “luftë”. Ja si pritet të rreshtohen të kuqtë

Partizani me dy rikthime “big”, 11-shja bëhet

Partizani në këtë start të sezonit ka pasur probleme të mëdha me dëmtimet, por këtë situatë të vështirë ka arritur ta kthejë në favor, pasi lojtarët e futur nga stoli kanë spikatur sa duhet dhe kanë bërë ndoshta edhe më mirë se ata që janë dëmtuar dhe nuk kanë mundur të luajnë.

Në ditët e fundit, duke shfrytëzuar edhe pauzën për shkak të kombëtareve, situata me dëmtimet është përmirësuar dhe dy prej të dëmtuarve janë rikthyer të stërviten normalisht. Andi Hadroj dhe Kristian Mba mund të thuhet se i kanë kaluar tërësisht problemet me muskujt e barkut.

Kjo dyshe kanë pasur dëmtime të ngjashme dhe kanë qenë jashtë ekipit në startin e sezonit. Tani janë gati.

11-SHJA SI LUFTË – Rikthimi i Hadrojt dhe Mbasë e bën rreshtimin si një ekuacion të gradës më të vështirë. Në mbrojtje Hadroj e ka vendin e sigurt në të djathtë, me Muratajn, që është vendosur aty në mënyrë provizore, pasi vendi i tij është në mesfushë.

Por teksa ka ndihmuar skuadrën në mbrojtje, nuk dihen kreditet e tij në mesfushë tashmë, aty ku emra të tjerë kanë shkëlqyer dhe kanë zënë me meritë vendin në 11-she.

Për t’i bërë vend Muratajt, do të duhej të ulej në stol një mes Rrapajt, Mehmetit dhe Maget. Ndoshta edhe vendi i Taipit mund të lëkundej, me Maget që mund t’i zërë vendin dhe Murataj të vendoset në pozicionin e senegalezit.

Në situatën aktuale, kur gjërat po shkojnë mirë, do të shihet nëse Murataj do të ulet në stol apo Abilaliaj do të lëvizë “gurët” në mesfushë. Dilemë krijohet edhe në sulm, aty ku luajnë Bintsuka dhe Cara, si dhe rikthehet Mba.

Nigeriani është sulmues shumë potent dhe me siguri do të këmbëngulë për të zënë një vend në 11-she dhe për të ulur në stol një mes kësaj dysheje. Duhet thënë se ndaj Egnatias 11-sha nuk ndryshon.

DËMTIME DHE “MISTERE” – Aktualisht 4 lojtarë mbeten ende jashtë. Hoxha i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në zorrë, teksa Sota, Koçijan dhe Da Silva janë jashtë për shkak dëmtimesh. Mister më vete është arsyeja që e mbajti kaq gjatë jashtë fushave brazilianin, pas vetëm një goditjeje në kavilje më 8 tetor ndaj Kukësit. Ditën e djeshme ai ka nisur vrapimet, çka tregon një avancim të dukshëm.