SPORT, 20 Tetor 2025, 13:41

Oferta nga SHBA/ Shitet në ankand fanella e golit të Manajt ndaj Serbisë: Ja shuma me të cilën u ble

Oferta nga SHBA/ Shitet në ankand fanella e golit të Manajt ndaj

Fanela që Rey Manaj përdori në sfidën me Serbinë, e luajtur më 11 tetor në Leskovc, u ble për thuajse 3,100 euro në një ankand të faqes MatchWornShirt, me të cilën FSHF ka marrëveshje.

Oferta më e lartë erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje blerësi ishte i vendosur për ta patur, pasi e ka rritur shumën 11 herë, ku fillestarja ishte 378 euro.

Fanela e firmosur nga sulmuesi i Kombëtares pati vlerë, pasi ai ishte edhe shënuesi i golit të vetëm që vendosi suksesin historik ndaj Serbisë.

Kjo është fanela e dytë më e shtrenjtë e Kombëtares. Rekordin e mban ajo e Nedim Bajramit në përballjen e fazës së grupeve të Euro 2024 me Italinë, ku shënoi edhe golin më të shpejtë në historinë e Europianit, pas 23 sekondave. Fanela u ble për 5,792 euro.