SPORT, 14 Maj 2024, 23:12

Nuk ka “ndihmë” nga Totenhemi për Arsenalin, Mançester Siti triumfon në Londër dhe merr kreun para javës së fundit të kampionatit

Nuk ka “ndihmë” nga Totenhemi për Arsenalin,

Mançester Siti do të shkojë në javën e fundit të kampionatit si kryesues i Premier Ligës dhe favorit absolut për të fituar përsëri titullin kampion pasi e luan ndeshjen ndaj Uest Hemit në fushën e tij. Skuadra e Pep Guardiolës ka kaluar sot pengesën më të vështirë që i mbetej, Totenhemin në Londër, duke e mundur dhe kapërcyer kështu Arsenalin në klasifikim.

Arsenali priste një ndihmë nga skuadra tjetër londineze dhe kjo e fundit rezistoi në pjesën e parë të ndeshjes. Por pas pushimit, De Bryjn gjeti të lirë Haland në zonë dhe sulmuesi nuk gaboi duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Më pas Totenhem reagoi dhe krijoi mundësi shënimi, me Son i cili pak minuta para fundit shpërdori rastin e artë për të shënuar përballë portierit Ortega.

Por më pas ishte një penallti e fituar nga Doku dhe e transformuar nga Haland që i dha Sitit suksesin 2-0 në këtë ndeshje.

Tani ‘qytetarët” shkojnë pak më të qetë në ndeshjen e fundit në fushën e tyre, kurse Totenhemi u dha fund të gjitha shanseve që i kishin mbetur për të kapur vendin e katërt në renditje për kualifikimin në Ligën e Kampioneve.

Nuk ka “ndihmë” nga Totenhemi për Arsenalin,