SPORT, 16 Shkurt 2023, 19:46

“Nuk janë kushtet e duhura”, babai i Mesit flet për të ardhmen e “Pleshtit” pas vizitës në Barcelonë

“Nuk janë kushtet e duhura”, babai i Mesit flet për

Zbehet euforia në Barcelonë duke menduar për një kthim të Lionel Mesit. Futbollisti argjentinas u raportua se kishte refuzuar ofertën e parë për rinovim nga PSG dhe shumë tifozë katalanas ëndërronin kthimin ”në shtëpi” të tij.

Por ka qenë vetë babai i futbollistit, Horge Mesi, ai i cili ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për një kthim të tij në radhët e klubit ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës e me të cilin vazhdon të jetë i lidhur ngushtë. Pikërisht vizita e Horge Mesit në Barcelonë kishte qenë ajo që kishe bërë të lindin spekulimet për një kthim të tij në verë.

“Nuk janë kushtet e duhura për kthimin te Barcelona”, pohoi ai sot për të përditshmen katalanase “Sport”, e cila e intervistoi në aeroportin “El Prat” të Barcelonës kur po largohej nga qyteti. “Nuk besoj se Leo do të luajë përsëri për Barcelonën. Nuk kemi folur me Laportën dhe nuk ka asnjë ofertë”, theksoi ai, duke mbyllur përfundimisht derën e një kthimi në Spanjë.