SPORT, 17 Nëntor 2022, 09:03

Nejmar ëndërron fitoren e Botërorit kundër Argjentinës: Mesin e dua ta mund në finale, do të ketë surpriza!

Nejmar ëndërron fitoren e Botërorit kundër Argjentinës:

Brazili dhe Argjentina janë dy prej kandidateve kryesore për të triumfuar në Botërorin e Katarit. Pjesërisht ky status vjen prej cilësisë dhe sasisë së skuadrave respektive të Lionel Skalonit dhe Tites.

Ylli i “Seleçaos”, Nejmar, ka dhënë një intervistë për britaniken “The Telegraph”, ku ai analizon rolin e tij në kombëtare dhe flet edhe për shokun e tij argjentinas te PSG-së, Lionel Mesin.

BOTËRORI I TRETË – “O Ney” mbërrin në Botërorin e tij të tretë në moshën 30-vjeçare dhe një lojtar me më shumë përvojë krahasuar me atë të Botërorit 2014 dhe 2018.

“Kupa e Botës është ëndrra ime më e madhe. Ka qenë e tillë që kur kuptova për herë të parë çfarë ishte futbolli. Tani kam një tjetër shans dhe shpresoj që t’ia dalë”, thotë sulmuesi brazilian.

Nejmar do të tentojë të shpallet për herë të parë kampion bote dhe thyejë rekordin e Pelesë, shënuesit më të mirë të historisë së Brazilit. Në këtë moment, Nejmar ka shënuar 75 gola në 121 ndeshje me kombëtaren.

NGACMIMET ME MESIN – Ai zbulon edhe bisedat me shokun e klubit, Lionel Mesin në lidhje me një përballje mes tyre me fanellat e përfaqësueses:

“Sigurisht që të gjithë kanë shpresa të mëdha për Botërorin dhe nuk është ankth, por emocion. Të gjithë duan që të jenë në Kupën e Botës.

Ne nuk flasim shumë për të, por ndonjëherë bëjmë shaka sikur të përballemi ndaj njëri-tjetrit në finale.

Unë i them Mesit se do të shpallem kampion dhe do ta mund atë dhe qeshim shumë.

Të luash me të dhe Mbapenë është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Ata janë dy lojtarë të mëdhenj.

Mesi konsiderohet prej kohësh më i miri në botë. Kilian është një futbollist më i ri dhe është rritur. Ai vazhdon ta tregojë potencialin e tij dhe ka ende shumë për të mësuar.

Është gjithnjë bukur të luash mes më të mëdhenjve. Unë e kam preferuar gjithnjë këtë, sepse shanset për të fituar janë më të larta”.

PËRVOJA – Në Botërorin e Rusisë 4 vite më parë, Nejmar kishte një shans të artë për të shkuar në gjysmëfinale me Brazilin, por ai gjeti përballë një Belgjikë shumë të fortë dhe Tibo Kurtuanë e pakalueshëm:

“Dy Botërorët që kam luajtur janë specialë për mua, njëri sepse organizohej në vendin tonë, Brazil dhe tjetri sepse ishte Botërori i dytë për mua.

Mendoj se edhe ky do të jetë shumë special gjithashtu”.

FAVORITET – Në fund ai ndalet të komentojë edhe kë ai shikon si favorit për të triumfuar muajin e ardhshëm:

“Kupa e Botës është plot me surpriza. Ka skuadra që shkojnë larg në mënyrë të papritur, pavarësisht se shumë nuk besojnë te to. Por unë mendoj se favoritet janë Argjentina, Gjermania, Spanja dhe Franca.

Mendoj se këto të katërta bashkë me Brazilin janë plotësisht në gjendje për të mbërritur në finale. Harrova Anglinë, sigurisht që edhe ata kanë një shans.

Më pëlqejnë Kejn dhe Sanço (sulmuesi i Mançester Junajtidit nuk është grumbulluar në fakt në Katar).

Ata janë dy lojtarë të pabesueshëm për të cilët kam vlerësim të veçantë, sepse më pëlqejnë futbollistët me cilësitë e tyre”.