SPORT, 15 Tetor 2022, 21:30

“Ndeshjet kundër Sitit, më të vështirat në futboll”/ Klop: Haland është përbindësh, sulmuesi më i mirë në botë

“Ndeshjet kundër Sitit, më të vështirat në

Është e vështirë të bësh një parashikim nëse Liverpuli është ende në garën për titull. Sidoqoftë, nëse Siti shkon nesër në “Anfield” dhe fiton, atëherë skuadra e Klopit duhet të ngrejë flamurin e bardhë.

“Qytetarët” e dinë këtë dhe do të bëjnë çmos të nxjerrin rivalen e tyre më të madhe jashtë gare. Pep Guardiola kurseu edhe Halandin në Champions për ta pasur gati artilerinë e tij norvegjeze për nesër. 22- vjeçari ka shënuar 15 gola në Premier Ligë dhe 20 në të gjitha kompeticionet dhe në konferencën për shtyp, trajneri rival Jyrgen Klop e quajti Halandin sulmuesin më të fortë në botë.

I pyetur për planin e tij për ta ndalur, tekniku gjerman tha: “Ai është ndoshta sulmuesi më i fortë në botë, kështu që ne duhet të kujdesemi që ai të mos marrë shumë topa. Këtë do të përpiqemi të bëjmë. Nëse ti bllokon Halandin, atëherë kundër një skuadre si Siti ti hap hapësirat për të gjithë lojtarët e tjerë të klasit botëror që ata kanë. Nuk është se ta bën jetën më të lehtë”.

I pyetur se kur e vuri re për herë të parë gjigantin norvegjez në aksion, Klop tha se kur ai i shënoi Liverpulit në Champions ndërsa luante për Salcburgun.

“Kur luajtëm kundër Salcburgut. Edhe kur ishte shumë i ri ti mund ta shikoje potencialin e tij. Nuk mendoj se luajti titullar në ‘Anfield’, por ne ishim shumë të zënë duke menduar se si ta bllokonim. E megjithatë, ai shënoi. Ai ka këtë kombinimin e të qenit shumë fizik dhe teknik. Ai di ku janë pozicionet jashtë loje, i lexon shumë mirë. Ka shumë gjëra që të bëjnë sulmues dhe Siti ka disa prej lojtarëve më të mirë rreth tij që i ndërtojnë golat. Është një kombinim perfekt. Cilësitë e tij finalizuese janë fantastike, por ai është i zgjuar edhe në lëvizje. Ti mund ta përdorësh shpejtësinë vetëm nëse e bën në mënyrë të zgjuar. Ai është një paketë e plotë dhe kjo e bën special”.

Klop thotë se nuk do t’ia lërë këtë barrë të vështirë Van Dajkut.

“Nuk është se Haland do të ndiqet gjatë gjithë kohës nga Van Dajk, atje ka edhe një tjetër mbrojtës qendre. Edhe nëse Haland do të ishte i vetëm në fushë, sërish duhej mbrojtur kundër tij. Ai është një përbindësh në kuptimin e mirë të fjalës”.

Ai shtoi se kundër Sitit pret ndeshjen më të vështirë të futbollit, një rival ndaj të cilit nuk ka rekordin më të mirë.

“Bilanci ynë kundër Sitit nuk na ka dhënë kurrë qetësi. Nuk e di që nuk kemi humbur katër ndeshjet e fundit kundër tyre. Nuk kemi menduar kurrë se si do të shkonte një ndeshje kundër tyre. Dimë gjithnjë se ajo është ndeshja më e vështirë në futboll që mund të luash, por unë e shijoj gjithnjë përgatitjen e lojtarëve”, përfundoi Klop.