TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Argjentina dhe Australia do të përballen sot në mbrëmje në ndeshjen që do të vlejë biletën për në çerekfinalet e Botërorit, një ndeshje që ka një rëndësi të dyfishtë për Leo Mesin.
Sfida do të përcaktojë jo vetëm vazhdimësinë ose jo të edicionit të fundit të Kupës së Botës për kapitenin argjentinas, por mbi të gjitha do të shënojë ndeshjen e 1000- të të tij si profesionist, një rekord që ndër lojtarët ende aktivë e mbajnë vetëm Kristiano Ronaldo e Dani Alvesh, ndërkohë që më parë mes bardhekaltërve e kishte mbërritur vetëm Havier Zaneti.
Sigurisht që 7 herë fituesi i “Topit të Artë” do të kërkojë ta festojë me kualifikimin për në fazën tjetër, i vetmi objektiv në mendjen e bardhekaltërve siç kanë konfirmuar në konferencën për shtyp Lionel Skaloni e Rodrigo de Pol.
SKALONI – “Ditën pas Polonisë përveç pushimit ia kemi dedikuar analizës së kundërshtarit dhe tashmë kemi një panoramë më të qartë të asaj që na pret”, e nisi trajneri i Argjentinës që komentoi edhe nisjen e tyre si favoritë në ndeshje. “Australia është një ekip i mirë, siç thonë edhe ata jemi 11 kundër 11. Duhet të kemi kujdes, sepse tani është gjithçka ose asgjë. Duhet të lëmë mënjanë anën teorike të favoritëve në letër, pasi e kemi parë çfarë u ndodh pretendentëve…”, u shpreh 44-vjeçari, duke iu referuar dukshëm Gjermanisë, por duke pasur parasysh edhe humbjen e skuadrës së tij ndaj Arabisë Saudite. Përveç falënderimit të tifozerisë për mbështetjen, Skaloni u ndal edhe në një tjetër pikë shumë të diskutuar të këtij Botërori, VAR-in: “Mendoj njëjtë si Luis Enrike. Imazhet e para që shohim janë të dyshimta, pastaj dalin pozicionet milimetrike dhe ndryshojnë këndvështrimin. Ne e kemi përjetuar vetë dhe është e vështirë ta përtypësh kur ndodh, por është e njëjta për të gjithë”.
DE POL – Në të njëjtën linjë me trajnerin ishte edhe mesfushori argjentinas. “Australia ka për të qenë e ngjashme me Poloninë, do të përpiqen të na ndalojnë qarkullimin dhe duhet të jemi më të fortë në çdo aspekt e sidomos në atë fizik”, tha lojtari i Atletikos së Madridit duke folur më pas për pritshmëritë. “Duhet të jemi të kujdesshëm, ne e kemi përjetuar një humbje që nuk e prisnim me Arabinë Saudite dhe sot mendoj që është më mirë që ajo humbje erdhi në debutim, sepse na ndihmoi të nxirrnim në pah karakterin pasi ishte një situatë me të cilën nuk ishim mësuar. Mendoj se na ka bërë vetëm mirë, ishin ditë të vështira, por na shërbeu. Po shihet që ky Botëror nuk është i thjeshtë dhe mbi të gjitha nuk parashikohet. Gjermania dhe Belgjika nuk ia dolën të kualifikoheshin, Spanja për disa momente ishte jashtë dhe asnjë prej nesh nuk do të lejojë një situatë të ngjashme”, ishte apeli i Rodrigo de Polit për të tijtë.