SPORT, 15 Qershor 2022, 17:19

Merret vendimi! Manaj nën urdhrat e Xavit, sulmuesi kthehet te Barcelona

Merret vendimi! Manaj nën urdhrat e Xavit, sulmuesi kthehet te Barcelona

Rei Manaj kthehet përsëri te Barcelona. Lajmi vjen nga mediat italiane të cilat kanë mësuar se sulmuesi i përfaqësueses shqiptare nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e Specias, ndonëse ishte një nga elementët që siguruan mbijetesën e kësaj skuadre në Serinë A.

Manaj ishte dhënë në huazim nga Barcelona për këtë sezon me të drejtën e blerjes së kartonit të tij për 2,7 milionë euro në fund të këtij sezoni. Por klubi italian ka vendosur që të mos ushtrojë të drejtën e blerjes së Manajt, duke lejuar kështu kthimin e tij në radhët e klubit katalanas.

“Specia nuk do të aktivizojë opsionin për të blerë Rei Manajn, i cili do të kthehet te Barcelona”, shkruante në rrjetet sociale eksperti i merkatos, Nikolo Shira, lajm i cili më pas është konfirmuar nga mediat italiane.

Kështu, Manaj do të nisë sezonin e ri në radhët e katalanasve, nën urdhrat e Çavit, para se të vendoset se çfarë do të bëhet me lojtarin i cili me shumë mundësi do të huazohet përsëri në një klub tjetër, me prioritet Italinë pasi ai mendon se mund të luajë rregullisht në Serinë A.