SPORT, 27 Shkurt 2023, 19:36

Marota tregon të ardhmen e Interit: Besim të plotë te Inzagi, Lukaku do kthehet te Interi

Marota tregon të ardhmen e Interit: Besim të plotë te Inzagi,

Xhuzepe Marota, administratori i Interit, ka zbardhur sot para mikrofonave të “Sky” pak nga e ardhmja e zikaltërve. Ekipi ka shfaqur shumë luhatje në këtë edicion dhe pikërisht kjo është ajo ku është përqendruar Marota, teksa ka theksuar se trajneri nuk është në diskutim, edhe pse kanë filluara të qarkullojnë emra të teknikëve të tjerë.

“Rrugëtimi në këto vite është i kënaqshëm, por sezoni është me dritë-hije. Jemi protagonistë në Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Italisë, por në kompeticionin më të rëndësishëm, kampionatin, ka mungesë vazhdimësie rezultatesh. Kemi besim te Inzagi, po bën një punë shumë të mirë dhe nuk ka pasur asnjëherë mungesë besimi te ai.

Sot është e vështirë të fitosh dhe të jesh konkurrues, por nuk po shfaqim vazhdimësi, sidomos kur skuadra jonë përballet me ekipe që duken plotësisht në dorën tonë. Dhe në këtë pikë duhet bërë një analizë dhe gjetur një terapi, duke pasur parasysh që klubi duhet të mbështetë një gjë të tillë. Jemi këtu që t’i kërkojmë skuadrës dhe trajnerit që të kenë motivimin dhe përqendrimin për të mos humbur objektivin tonë, që është kualifikimi në Ligën e Kampioneve.

Detyra jonë është t’u japim kënaqësi tifozëve. Inzagi është një trajner i aftë, i ri dhe i përgatitur, besimi te ai nuk ka munguar kurrë”, përsëriti Marota i cili u ndal edhe te një pikë e rëndësishme, ajo e vazhdimësisë me Romelu Lukakun.

“Të flasim tani për të ardhmen e tij është e parakohshme. Në qershor do të kthehet te Interi dhe pastaj do të hapet një skenar i ri dhe do të shohim çfarë mund të bëjmë. Ai dëshiron të qëndrojë, sigurisht duke e njohur do të shohim nëse do të jetë hapësira që të negociojmë një kthim të tijin te ne”, theksoi drejtuesi i Interit.