TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej të dielës së 18 shtatorit grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy sfidave të fundit të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit në transfertë (24 shtator) dhe Islandës në “Air Albania” (27 shtator).
Për të folur në lidhje me këto dy ndeshje të rëndësishme për Shqipërinë, dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi kanë dalë këtë të hënë në një konferencë për media. Njëzëri, të dy kuqezinjtë kanë shprehur se këto dy ndeshje janë vendimtare për Kombëtaren kuqezi dhe se skuadra do të japë maksimumin.
Arlind Ajeti rikthehet me Kombëtaren pas disa muajsh, teksa mbrojtësi kuqezi vlerëson ftesën nga stafi kuqezi dhe shprehet se ai do të jetë gati të luajë nëse trajneri e vendos në formacion.
Izraeli dhe Islanda, si po i përgatisni këto ndeshje? – Janë ndeshje vendimtare dhe ne akoma nuk kemi filluar të përgatitemi, por kemi mjaft kohë për t’u përgatitur dhe do bëjmë maksimumin tonë.
Ndyshimi i ekipit – Janë disa lojtarë të rinj, por për mua nuk ka rëndësi. Është gjithmonë kënaqësi e madhe që jam pjesë e ekipit dhe të luaj me Kombëtaren dhe sa herë jam i ftuar, jam gjithmonë i kënaqur.
A e kam pritur një ftesë nga Kombëtarja? – Kam luajtur katër ndeshje sepse sapo ka filluar kampionati dhe të gjitha ndeshjet kam luajtur. E kam pritur një ftesë? Nuk mund ta them. Objektivi është gjithmonë të jem në Kombëtare, por në fund e vendos trajneri. Unë jam gjithmonë gati për ftesën e Kombëtares.
Mungesat në mbrojtje mund të ndikojnë në këto ndeshje? – Janë lojtarë me shumë kualitet dhe shumë të rëndësishëm në Kombëtare. Unë do të jap maksimumin nëse më jep mundësinë trajneri të luaj. Të zëvendësosh lojtarë të tillë është e vështirë.
Krahasimi me ekipin e 2016? – Sa herë të jem këtu, mundohem të jap maksimumin. Si në 2016 si tani. Kualiteti është shumë i lartë, shumë lojtarë me cilësi të lartë, nëpër skuadra të mëdha. Shpresoj që të arrijmë të njëjtin sukses. Futbolli ka shumë lidhje edhe me fatin. Në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe për momentin kemi disa lojtarë të lënduar dhe shpresoj që me këtë ekip që kemi do të bëjmë më të mirën.
Izraeli? – Është një kundërshtar i fortë. E kemi parë edhe në ndeshjen e parë. Do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen me Izraelin dhe mundësisht edhe të marrim tre pikë.
Taulant Seferi, sulmuesi shqiptar i cili është transferuar në Ukrainë që nga ky sezon, pas aventurës me Tiranën shprehet se ndihet në formë të mirë për momentin, ndërsa flet edhe për atmosferën e mirë brenda grupit. Seferi thotë se fokusi i skuadrës për momentin është tek Izraeli e më pas Islanda.
Sulmuesi me më shumë minuta i momentit – I kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe e ndjej veten mirë. Unë do të bëj maksimumin në stërvitje, por është zgjedhja e trajnerit, se cili do të luajë.
Mungesa, dëmtime dhe probleme në këto sfida. Sa besojmë se mund të fitojmë? – E tha dhe Ajeti, që ky grup që jemi duhet të mundohemi të bëjmë maksimumin dhe duhet të jemi të gjithë bashkë. Këto mungesa që kemi janë me vlerë të madhe, janë lojtarë shumë të mëdhenj dhe na mërzisin pak që nuk janë me ne. Por i uroj shërim të shpejtë dhe të kthehen sa më shpejt me ne. Ky grup që jemi duhet të bëjmë maksimumin dhe të përgatitemi maksimalisht për këto ndeshje sepse e dimë që janë vendimtare dhe na duhet maksimumi. Duhet të jemi të përqëndruar dhe të bëjmë maksimumin.
Atmosfera brenda grupit kuqezi – Është një atmosferë shumë e mirë dhe jemi të gjithë së bashku. Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që ky bashkim i yni të na ndihmojë edhe në fushë.
Reparti i sulmit, diferenca në këto dy sfidat e ardhshme? – Pa dyshim se nëse duam të fitojmë ndeshjen, na duhen gola dhe jam shumë i lumtur që të gjithë sulmuesit janë në formë. Kjo është diçka e mirë për Kombëtaren tonë dhe shpresoj që ai që do të jetë në fushë të bëjë gol dhe të marrim pikët që na duhen ne.
Me cilin sulmues do ndihesha mirë në lojë? – Ndihem mirë nëse luaj, nuk ka rëndësi se me kë. Është zgjedhje e trajnerit dhe ai vendos. Kush do të jetë në fushë duhet të bëjë maksimumin, pasi këto dy ndeshje janë finale për ne.
Mundësia për tre sulmues përpara? – Për formacionin unë nuk mund të them asnjë fjalë pasi vendos trajneri dhe ai e di më mirë. Izraeli është një kundërshtar i fortë dhe në fushën e tyre janë shumë agresivë, por do të punojmë këto gjashtë ditë që kemi para ndeshjes dhe do të shohim edhe pikat e dobëta të Izraelit dhe do të sulmojmë aty ku duhet.
Zhgënjim nëse nuk marrim 6 pikë? – Pa dyshim që do të ishte zhgënjim. Jemi ekip i mirë, kemi lojtarë me cilësi të lartë dhe do zhgënjehemi, por jemi këtu për të dhënë maksimumin për Kombëtaren tonë dhe shpresoj që do t’ia dalim.
Izraeli apo Islanda, kundërshtari më i rrezikshëm? – Fokusi ynë është te Izraeli, sepse është ndeshja e parë. Do ta përgatisim Izraelin maksimalisht dhe pastaj do flasim për ndeshjen e radhës.