SPORT, 5 Korrik 2025, 09:32

Lamtumirë mes lotësh për Diogo Jotën në qytetin e lindjes, përcillet në banesën e fundit futbollisti 28-vjeçar

Lamtumirë mes lotësh për Diogo Jotën në qytetin e

Mijëra njerëz u mblodhën në një ceremoni prekëse në qytetin e lindjes së Diogo Jotës për t’i dhënë lamtumirën e fundit yllit të Liverpool-it, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor, vetëm 11 ditë pas martesës së tij.

Futbollisti 28-vjeçar, baba i tre fëmijëve, po udhëtonte me makinë drejt Anglisë për t’u bashkuar me skuadrën në fazën përgatitore, pasi ishte këshilluar të mos fluturonte për shkak të një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale. Fatkeqësisht, rruga drejt Liverpool-it rezultoi fatale.

Atmosfera në Gondomar, Portugali ishte e ngarkuar me emocion. Lule, këngë dhe heshtje përshkuan rrugët, ndërsa ceremonia u zhvillua në Igreja Matriz, ku pritet të mbahet edhe varrimi të shtunën në orën 10:00.

Liverpool reagoi duke e quajtur humbjen e Jotës “një tragjedi që tejkalon futbollin”, ndërsa mijëra tifozë u mblodhën pranë stadiumit Anfield për të vendosur lule, shalla dhe për të kënduar këngë në nder të tij.

Ish-kapiteni Jordan Henderson u emocionua deri në lot teksa vendoste një kurorë me mesazhin: “Prehu në paqe, miku im, bashkë me vëllain tënd André. Do na mungosh të gjithëve.”

Sulmuesi Mohamed Salah shprehu dhimbjen e tij: “Jam pa fjalë. Deri dje, nuk besoja se do vinte një ditë që do më trembte kthimi në Liverpool.”

Në një homazh simbolik, gjatë koncertit të ribashkimit të Oasis në Cardiff, imazhi i Jotës u shfaq në fund të këngës “Live Forever”, duke marrë duartrokitje të gjata nga stadiumi.

Edhe rivali lokal i Liverpool-it, klubi Everton, shprehu respektin për Jotën. Sulmuesit portugezë Beto dhe Chermiti vendosën lule në nder të tij pranë Anfield-it.

Hommage për Jotën u bënë edhe në stadiumin e Wolves, ku ai luajti më parë, si dhe në turneun e tenisit Wimbledon, ku tenisti portugez Francisco Cabral mbajti një shirit të zi. Gjatë ndeshjes së Euro 2025 për femra mes Danimarkës dhe Suedisë u mbajt një minutë heshtje në nder të tij.