TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndëshkoi Interin dhe e mundi pasi e tradhtoi në verë, duke mos e mbajtur akordin për një kontratë mes tyre, por ndërkohë Paulo Dibala nuk mjaftoi të enjten në mbrëmje ndaj Betisit, për të ofruar tri pikët në Ligën e Europës.
Madje Roma u përmbys dhe bëri një figurë jo të bukur në Europë, duke vështirësuar edhe pozitat e saj në grup, për kualifikimin në turin tjetër.
Argjentinasi që duket se është çliruar përfundimisht nga mungesa e vazhdimësisë dhe madje po shënon edhe rregullisht (4 gola në kampionat dhe 2 në Europë) ka folur për lamtumirën e lajmëruar të Lionel Mesit nga Argjentina në fund të Botërorit të Katarit, por ndërkohë është ndalur edhe te disa të fshehta mes tij dhe Alegrit, ashtu sikurse në të njëjtën kohë tregon për marrëdhënien ndryshe dhe speciale me Zhoze Murinjon.
LAMTUMIRA E MESIT – “Botërori është kompeticioni më i bukur dhe më i vështirë në botë. Fakti që ky është shansi i fundit për Mesin për të fituar Kupën e Botës më ka shkaktuar realisht pak ankth. Kjo, sepse ne duhet të shkojmë, ta ndihmojmë në maksimum Leon, por edhe të gjithë të tjerët që të provojmë t’i shkojmë deri në fund Botërorit në Katar dhe ta fitojmë atë edhe për Leon”, nënvizon argjentinasi.
DIFERENCA ALEGRI-MURINJO – Ndërkohë, lidhur me aventurën e re te Roma dhe marrëdhënien e veçantë me Murinjon, ai nuk nguron që të thumbojë nga larg edhe ish-trajnerin, Masimiliano Alegri, ndonëse duke i njohur edhe shumë merita.
“Murinjo dhe Alegri janë shumë të ngjashëm në mjaft gjëra që kërkojnë të bëhen në fushë, por në disa të tjera janë vite dritë larg. Me Zhozenë flas më shumë, kam një komunikim më të gjerë dhe konfrontohemi shpesh për ide të ndryshme.
Edhe me Alegrin mund të bisedoja për tema të ndryshme që nuk ndaja mendime të njëjta, por në disa raste gjërat mes nesh nuk shkonin dhe aq mirë dhe grindeshim.
Nuk e bënim çdo ditë, por ka ndodhur disa herë që të zihemi. Gjithsesi, e gjithë kjo ndodhte vetëm për të mirën e Juventusit, për të dhënë më të mirën për skuadrën dhe gjithçka rregullohej me kalimin e ditëve.
Kuptojeni se nuk po bëj polemikë, sepse kaq doni ju… (qesh) Diferenca e pikëpamjeve tona lidhej me mënyrën sesi analizonim ndeshjet në mënyrë tjetër, por asgjë më shumë se kaq.
Sepse fundja, nëse sot jam një Dibala më i mirë si lojtar, më i pjekur në aspektin sportiv e human, pa dyshim që një peshë shumë të madhe ka pikërisht vitet e kaluara me Alegrin te Juventusi”, përfundoi 28-vjeçari.