SPORT, 14 Qershor 2026, 12:32

Knicks mund Spurs dhe rikthen titullin pas 53 vitesh në NBA, shpërthen festa në New York City

Knicks mund Spurs dhe rikthen titullin pas 53 vitesh në NBA, shpërthen

Një natë historike për tifozët e New York Knicks. Skuadra nga Nju Jorku mposhti San Antonio Spurs me rezultatin 94-90 në Ndeshjen e Pestë të finaleve të NBA-së, duke vulosur serinë 4-1 dhe duke fituar titullin kampion për herë të parë që nga viti 1973.

Protagonisti absolut i sfidës ishte Jalen Brunson. Ylli i Knicks realizoi 45 pikë dhe udhëhoqi ekipin drejt një tjetër përmbysjeje spektakolare, duke u shpallur edhe MVP i finaleve. New York-u e gjeti veten në disavantazh prej 16 pikësh gjatë pjesës së dytë dhe 10 pikësh në fillim të periodës së fundit, por reagoi fuqishëm në momentet vendimtare të takimit.

Brunson shkroi gjithashtu historinë e klubit, duke vendosur rekordin e ri të pikëve për një lojtar të Knicks në një ndeshje finaleje, duke kaluar arritjen e legjendës Willis Reed.

Në krahun tjetër, Victor Wembanyama zhvilloi një paraqitje të mirë me 19 pikë, 14 ribaunde dhe 5 bllokime, ndërsa i riu Dylan Harper shtoi 25 pikë nga stoli. Megjithatë, Spurs nuk arritën të ruanin avantazhin e krijuar dhe u dorëzuan përballë rikthimit të fuqishëm të kundërshtarëve.

Pas sirenës së fundit, festa shpërtheu në të gjithë New York City. Simboli i qytetit, Empire State Building, u ndriçua me ngjyrat portokalli dhe blu të Knicks, ndërsa mijëra tifozë u mblodhën pranë Madison Square Garden për të festuar rikthimin e shumëpritur të skuadrës së tyre në majën e basketbollit amerikan.

Një triumf që mbyll një rrugëtim emocionues në play-off dhe që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve të Knicks.