SPORT, 4 Korrik 2026, 22:44

Klopp drejt kombëtares gjermane me pushtet të plotë/ ‘Bild’: Federata i jep dorë të lirë për rindërtimin e Gjermanisë

Klopp drejt kombëtares gjermane me pushtet të plotë/

Federata Gjermane e Futbollit po përgatit një projekt të madh për rindërtimin e kombëtares dhe në qendër të tij raportohet se është Jurgen Klopp, i cili mund të marrë një rol me kompetenca të gjera dhe vendimmarrje të plotë.

Sipas të përditshmes gjermane Bild, ideja e federatës është që Klopp të ketë dorë të lirë në të gjitha aspektet sportive, me synimin për të rikthyer Gjermaninë – katër herë kampione bote – në majat e futbollit ndërkombëtar pas rezultateve zhgënjyese në turnetë e fundit.

Në kuadër të këtij riorganizimi, pritet edhe një ndryshim i rëndësishëm strukturor brenda federatës, ku drejtori ekzekutiv i ardhshëm nuk do të ketë më lidhje të drejtpërdrejtë me menaxhimin e kombëtares, por do të fokusohet në zhvillimin e futbollit bazë dhe strukturave federative. Ndërkohë, drejtimi sportiv i ekipit kombëtar do të kalonte në duart e Klopp, në bashkëpunim me Rudi Völler, nëse ky i fundit do të vijojë detyrën e tij.

Sipas raportimeve, Klopp do të ketë gjithashtu lirinë për të zgjedhur stafin teknik, duke sjellë me vete bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Mes emrave të përmendur për të qenë pjesë e ekipit të tij teknik përmendet edhe Pepijn Lijnders, ish-asistent i tij te Liverpool, si dhe Per Mertesacker si një alternativë e mundshme.

Mediat gjermane theksojnë se Klopp gëzon mbështetje të gjerë edhe nga figura të rëndësishme të futbollit gjerman, përfshirë edhe përfaqësues të Bayern Munich, të cilët vlerësojnë lidershipin e tij dhe aftësinë për të ringjallur entuziazmin e tifozëve.

Plani i federatës shihet si një ndryshim i madh strategjik, i krahasueshëm me periudhën e reformave të hershme të viteve 2000, me objektiv afatgjatë rikthimin e Gjermanisë në garën për trofe madhorë, përfshirë Kampionatin Europian 2028.