SPORT, 28 Nëntor 2022, 16:10

Katar 2022/ Spektakël mes Koresë së Jugut dhe Ganës, në fund triumfojnë afrikanët

Katar 2022/ Spektakël mes Koresë së Jugut dhe Ganës, në

Një tjetër sfidë e "çmendur" në Katar 2022. Gana fitoi 3-2 ndaj Koresë së Jugut, një sukses që mban gjallë shpresat e afrikanëve për të kaluar më tej.

Koreja e nisi “zjarr” sfidën dhe tentoi të realizonte shpejt, por nuk ia doli. Më pas Gana futet në lojë dhe shënon dy herë. Rezultati është zhbllokuar në minutën e 24-t nga Salisu. Kur pritej reagimi koreano-jugorëve, kjo nuk ka ndodhur.

Gana ka ruajtur ritmin dhe ia ka dalë të shënojë golin e dytë në minutën e 34-t, me autor Kudus, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me një epërsi komode, por jo për të “fjetur mbi dafina”, po të kemi parasysh edhe atë që ndodhi në sfidën pararendëse të kësaj dite të Botërorit, Kamerun-Serbi.

Diçka shumë e veçantë: Mohammed Salisu është bërë mbrojtësi i parë që shënon për Ganën në historinë e Kupës së Botës. Pjesa e dytë është akoma më e bukur se e para. Është Koreja që sulmon dhe shpërblehet me 2 gola në harkun kohor të 3 minutave.

Sung shënon dy herë, në 58’ dhe 61’, duke barazuar në 2-2. Aziatikët marrin zemër dhe tentojnë të shënojnë edhe të tretin, por këtë e bën Gana. Kudus ndëshkon sërish, me Ganën që kalon sërish në avantazh, 2-3.

Ndeshja ishte e hapur deri në fund, por pavarësisht tentativave të shumta të koreanëve, duke goditur edhe shtyllën, nuk ishte e thënë që topi të futej në portë. Tani Gana shpreson më shumë se Koreja për kualifikimin.

Katar 2022/ Spektakël mes Koresë së Jugut dhe Ganës, në