SPORT, 2 Shkurt 2023, 17:31

Goditje e rëndë për PSG, Mbape humb duelin e Ligës së Kampioneve ndaj Bajern Mynih

Goditje e rëndë për PSG, Mbape humb duelin e Ligës së

PSG ka marrë një goditje të rëndë sa i përket shanseve për të vazhduar më tej në Ligën e Kampioneve, ku në fazën e parë me eliminim direkt, shorti e ka vënë përballë Bajern Mynih. Francezët kanë humbur shërbimet e lojtarit më në formë, Kilian Mbape, i cili është dëmtuar që në minutat e parë të sfidës së mbrëmshme ndaj Montpelje.

Lojtari bëri me shenjë se kishte probleme në kofshë dhe u zëvendësua që në minutën e 20 të sfidës. Por pakkush mendonte se ky dëmtim do ta bënte të humbte ndeshjen e parë ndaj Bajern Mynih, që luhet më datë 14 shkurt.

Klubi bëri të ditur se dëmtimi i pësuar në kofshën e djathtë ishte në lartësinë e bicepsit femoral ndaj futbollisti do të qëndronte jashtë për të paktën tre javë, duke humbur kësisoj duelin e rëndësishëm ndaj bavarezëve. Ndërkohë, nën vëzhgim është edhe Serxhio Ramos, i cili ka gjithashtu probleme me një dëmtim, por do t’i nënshtrohet testeve më të hollësishme për të kuptuar se sa kohë do t’i duhet të qëndrojë pushim.