SPORT, 1 Mars 2023, 12:45

Francë, presidenti i PSG-së nën hetim për rrëmbim dhe torturë

Francë, presidenti i PSG-së nën hetim për rrëmbim dhe
Nasser Al-Khelaifi

Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, është duke u hetuar mbi akuzat për 'rrëmbim dhe torturë' në atdheun e tij, Katar.

Tre gjyqtarë francezë janë emëruar për të nisur një hetim ndaj shefit të PSG-së për 'rrëmbimin dhe torturimin e dyshuar' të lobistit franko-algjerian Tayeb Benabderrahmane, raporton L'Equipe.

Benabderrahmane, 42 vjeç, ka pohuar se është torturuar për 6 muaj në lidhje me zotërimin e dokumenteve të ndjeshme që ai dispononte për Khelaifin.

Siç u raportua për herë të parë nga Liberation në shtator të vitit të kaluar, Benabderrahmane thuhet se ishte arrestuar në Katar nga janari 2020, rreth tre muaj pasi u vendos në vend për të kryer lobimin.

Më pas dyshohet se 42-vjeçari është burgosur dhe torturuar, para se të vendosej në arrest shtëpie. Ai pretendon se është lejuar të largohet në nëntor vetëm pas nënshkrimit të një marrëveshjeje konfidencialiteti, e cila përcaktonte moszbulimin e natyrës 'sensitive' të dokumenteve që zotëronte.

Raportohet se këto dokumente kanë të bëjnë me dhënien e Kupës së Botës 2022 për Katarin si vend organizator, si dhe të drejtat televizive për edicionet 2026 dhe 2030 të turneut për BeIN Media.

Korporata e transmetimit me bazë në Katar drejtohet nga Al-Khelaifi, i cili u akuzua se kishte bërë një pakt me ish-sekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke, përpara se të shpallej i pafajshëm në tetor 2020.

"Ne jemi shumë të lumtur që dosja e vërtetë e kësaj historie është hetuar më në fund nga drejtësia franceze," thanë avokatët e Benabderrahmane, Maitres Romain Ruiz dhe Gabriel Vejnar.