SPORT, 7 Prill 2024, 10:13

FORMULA 1/ Red Bull bën dopietë në Japoni, Vershtapen rikthehet triumfator

FORMULA 1/ Red Bull bën dopietë në Japoni, Vershtapen rikthehet

Maks Vershtapen fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Japonisë në Formula 1, zhvilluar në pistën e Suzuka. Një garë e dominuar nga kampioni i botës, që u rikthye fitues në pistë pas zhgënjimit të dy javëve më parë në Australi. Jo vetëm kaq, por Red Bull arriti një fitore të dyfishtë, teksa në vendin e dytë u rendit piloti tjetër i saj, meksikani Serxhio Perez.

Podiumi u kompletua me makinën Ferrari të spanjollit Karlos Sainz, që la pas shokun e tij të skuadrës Carls Leklerk (i katërti). Edhe pse gara nisi menjëherë me një flamur të kuq, pas aksidentit të Riciardos dhe Albon, gara nuk dhuroi shumë emocione në pistë. Makina Red Bull ishte ndjeshëm më superiore në pistë dhe pilotët e saj i menaxhuan më mirë gomat.

Red Bull ishte një hap më lart se Ferrari, që nuk mundi dot të rivalizojë për fitore pavarësisht se provoi një strategji ndryshe. Makina Mercedes, larg më të mirëve, duke mos dueluar dot për podiumin. Kështu, Red Bull shkëputet sërish në renditjen e përgjithshme, ndërkohë që te Ferrari është Sainz ai që bën më mirë.