SPORT, 6 Gusht 2022, 20:52

Çelsi e nis sezonin me fitore, Broja në fushë në suksesin e bluve

Çelsi e nis sezonin me fitore, Broja në fushë në suksesin

Një gol i Zhorzhinjos i ka dhënë fitoren Çelsit në transfertën e "Goodison Park" ndaj Evertonit (0-1), në ndeshjen e parë të kampionatit.

Në minutën e 24-të, vendasit do tregoheshin mjaft të rrezikshëm me James Tarkowski, por portieri Mendy do shpëtonte skuadrën nga një gol i sigurtë.

Episodi më i rëndësishëm i takimit do vinte në shtesën e pjesës së parë. Abdoulaye Doucoure i Everton pengon një kundërshtar në zonë dhe për arbitrin Craig Pauson nuk ka dyshime, drejton gishtin nga pika e penalltisë.

Blutë e Londrës do t'i besonin si zakonisht Zhorzhinjo (45'+8). Italo-braziliani dërgon topin në njërin krah, ndërsa Pikford hidhet në krahun tjetër.

Pati minuta edhe për Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar e nisi nga stoli sfidën, por u aktivizua në të 74-tën, kur mori vendin e Havertz.

Djemtë e Tuhelit patën rast ideal në fund me Sterling për golin e qetësisë, por një mbrojtës rival i gjendur aty largon topin në momentin e fundit.

Takim i radhës për Çelsin është në derbi ndaj Totenhemit, ndërsa Evertoni luan në Birmingham ndaj Aston Vilës.