SPORT, 24 Shkurt 2026, 21:50

Botërori 2027 për vajza, Grima: Objektivi ynë, të qëndrojmë në Ligën B

Botërori 2027 për vajza, Grima: Objektivi ynë, të

Kombëtarja shqiptare e vajzave nisi mesditën e sotme grumbullimin e parë për vitin 2026, në Shkodër, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2027, ku Shqipëria është pjesë e Grupit B1, së bashku me Malin e Zi, Çekinë dhe Uellsin.

Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima dhe stafit kuqezi, skuadra zhvilloi seancën e parë stërvitore.

Në një intervistë për fshf.org tekniku kuqezi foli për objektivat e skuadrës në këtë fushatë kualifikuesesh Botërori, përforcimet me lojtaret e reja të ftuara në këtë grumbullim dhe kundërshtaret e grupit B1.

“Për çdo kompeticion rriten pretendimet tona. Nuk shkojmë më thjesht për të bërë lojë dinjitoze apo për të mos humbur thellë. Synimi ynë kryesor është të marrim pikët e nevojshme për të siguruar qëndrimin në Ligën B, duke pretenduar gjithashtu diçka më shumë në bazë të gjendjes fizike të vajzave”, deklaroi Grima.

Ai vlerësoi rikthimet e disa lojtarëve me përvojë, të cilët do të fuqizojnë konkurrencën brenda skuadrës, si dhe shtoi se për vajzat e reja ky grumbullim përbën një mundësi për të treguar potencialin dhe për t’u afruar me ekipin e parë.

Sa i përket kundërshtarëve në Grupin B1, trajneri Grima theksoi se të tri skuadrat e grupit janë të forta.

“Prioriteti ynë është të përqendrohemi te ndeshja me Malin e Zi dhe ta kalojmë me sukses, më pas do të mendojmë për Çekinë. Për të arritur objektivat tona duhet impenjim maksimal dhe dhënia e 100% në fushë”, shtoi tekniku kuqezi.