SPORT, 23 Shkurt 2023, 09:22

Bindja e Orges Shehit: Xhixha do të bëhet një yll në Azerbajxhan

Bindja e Orges Shehit: Xhixha do të bëhet një yll në

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka dhënë një intervistë speciale për median azere “Sportinfo.az”, pas transferimit të sulmuesit kryesor të bardhebluve, Redon Xhixha, te gjigantët e Karabakut. Në prononcimin e tij, tekniku durrsak, ndër të tjera shprehet optimist për karrierën e futbollistit shqiptar, teksa beson se në të ardhmen, Xhixha do të behet yll te Karabaku.

“Redoni u rrit shumë dhe gjithmonë donte të luante jashtë vendit. Ai është një djalë punëtor dhe gjithmonë modest. Mendoj se ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke kaluar te Karabaku, sepse ka nënshkruar kontratë me një klub që merr pjesë vazhdimisht në fazat e grupeve të Kupave të Europës. Kjo ka qenë gjëja kryesore për të cilën kam menduar kohët e fundit”, tha në fillim ai.

Shehi foli edhe për të ardhmen e ish-sulmuesit bardheblu, duke pohuar se sulmuesi do të bëhet protagonist në Azerbajxhan. “Besoj se Redoni do ta ndihmojë Karabakun. Ai ishte golashënuesi ynë. Në këtë kuptim nga Tirana u largua një lojtar mjaft i vlefshëm. Do të na mungojë dhe e dimë se mungesa e tij do të ndihet. Mendoj se Redonit i duhet kohë për t’u përshtatur. Kjo duhet në transfertën e re të çdo futbollisti. Jo vetëm në futboll, por në çdo biznes.

Redoni fitoi “Topin e Artë” të kampionatit shqiptar 2022. Ai do ta tregojë veten te Karabaku. Këtë mund ta them me performancën e tij te Tirana. Të them të drejtën, nuk e di se në cilin sistem do të luajë te Karabaku, por besoj se Redoni do të jetë ylli i Karabakut. I uroj atij më të mirat. Më vjen keq që nuk mund t’i shikoj ndeshjet e Karabakut, sepse nuk kam kohë për shkak të punës”, deklaroi Shehi në prononcimin e tij për median azere.