SPORT, 29 Janar 2023, 23:28

Barazim dramatik, skuadra e Zenelit shtang PSG-në në “frymën e fundit”

Barazim dramatik, skuadra e Zenelit shtang PSG-në në

Barazim dramatik mes PSG-së dhe Reims, në sfidën e vlefshme për javën e 20-të të Ligës 1 franceze. Goli i shënuar nga Balogun në minutën e 90+5, shtangu skuadrën e Galtier, që udhëhiqte nga minuta e 51-të falë golit të Nejmarit.

Vendasit mbetën me 10 lojtarë në minutën e 59-të, kur Verrati u ndëshkua me karton të kuq, për një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit. Reimsi i shqiptarit të Kosovës, Arbër Zeneli, nuk u dorëzua, teksa në fund doli nga sfida me 1 pikë. Mesfushori dardan u hodh në fushë në minutën e 75-të, duke zënë vendin e Flips.

Falë këtij barazimi, bardhekuqtë zgjatën ecurinë pa humbje, në 12 ndeshje. Për herë të parë që pas Botërorit, Mbape, Nejmar dhe Mesi, e nisën ndeshjen të 3 së bashku nga minuta e parë duke u shfaqur kërcënues në fushë, por në fund fati duket se iu buzëqeshi miqve.

Ky ishte barazimi i tretë në 20 ndeshje për PSG-në që kryeson me një diferencë +3 nga ndjekësit e Lens.