SPORT, 21 Nëntor 2022, 16:18

Anglia “masakron” Iranin në Kupën e Botës, i shënon gjashtë gola

Anglia “masakron” Iranin në Kupën e Botës, i

Anglia dëshmoi pretendimet e saj në Botëror, pas fitores dominuese 6-2 ndaj Iranit në ndeshjen që zgjati në total 117 minuta në Doha, përfshirë shtesat në të dyja pjesët.

Kjo është fitorja më e thellë e anglezëve në një ndeshje hapëse në Kupën e Botës!

Për "Tre Luanët" shënuan me radhë Bellingham (35'), Saka (43' dhe 62'), Sterling (45'), Rashford (71') dhe Grealish (90'). 

Iranianët u kundërpërgjigjën me dygolëshin e Taremit (65' dhe 90+13' me penallti).

Para fillimit të takimit, skuadra e Iranit nuk pranoi të këndonte himnin e tyre kombëtar, ndërkohë që  tifozët iranianë janë bërë protagonistë në stadiumin “Khalifa International” në Doha, ku shumë prej tyre treguan mbështetjen e tyre për protestat njëmujore kundër qeverisë në veshjet e tyre ose të pikturuara në fytyrat e tyre.

GOLAT E NDESHJES

35′ GOOOL ANGLIA 1-0! Zhbllokohet sfida, Xhud Belingam kalon në avantazh ishullorët pas një pasimi perfekt të Luk Shout dhe Belingam shënon bukur me kokë duke shtangur portierin iranian.

43′ GOOOL ANGLIA 2-0! “Tre Luanët” shënojnë të dytin me Bukajo Saka, pas një krosimi nga goditja e këndit me Meguajër që bën spondin dhe Saka realizon një supergol duke çuar peshë tifozerinë angleze.

45′ GOOOL ANGLIA 3-0! Ishullorët nuk dinë të ndalen, Rahim Stërling realizon golin e tretë pas një aksioni perfekt kundësulmi.

62’ GOOOL Anglia, 4-0! Saka merr topin në mesfushë dhe shmang tre lojtarë para se të dërgojë topin në rrjetë me një diagonale të saktë.

64’ GOOOL IRANI, 4-1! Më në fund godasin edhe iranianët, me anë të Taremi i cili shfrytëzon një korridor mes mbrojtësve anglezë për të çuar sferën në rrjetë më një gjuajtje të fortë.

71’ GOOOL ANGLIA, 5-1! Rashford, i futur në fushën e lojës vetëm pak sekonda më parë, shpërthen në krahun e djathtë dhe pasi shmang një mbrojtës dërgon topin në rrjetë.

90’ GOOOL ANGLIA, 6-1! Të pamëshirshëm anglezët të cilët me një kundërsulm të shpejtë gjejnë edhe golin e rezultatit 6-1 me Grilish i cili finalizon një kundërzbritje të Uillson.

90’+13’ GOOOL IRANI, 6-2! Shënon Taremi nga pika e bardhë e penalltisë.