TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Që Juventusi ka batali nin e sulmuesve më të mirë të Serisë A për numër dhe cilësi ky është një opinion që gjen më shumë mbështetje sesa refuzime. Por është në të njëjtën kohë përpara syve të të gjithëve që sërish ky repart i bekuar nuk prodhon aq sa i detyrohet, sidomos në numrat minimalë që pritën prej tyre. Dhe ndërkohë me të drejtë ngrihet pyetja: Faji është individual apo i atyre të tjerëve që duhet të vënë në kushte për të shënuar repartin e avancuar?
Edhe këtu debati është i hapur dhe jo prej pak kohësh, përkundrazi… Sido që të jetë, evident është fakti që Alegri ka provuar dhe riprovuar me ndryshimin e lojës së dysheve, duke eksperimentuar në fushë kombinime të ndryshme.
– Nëse Kieza është sulmuesi që ka luajtur më shumë se të tjerët titullar (9 ndeshje nga 10, duke llogaritur edhe dy mungesat për dëmtim), Vlahoviç dhe Ken e ndjekin Federikon me nga 6 shanse për kokë, përpara Milikun, që vetëm në dy raste e ka nisur nga minuta e parë. Në projektin fillestar, dyshja titullarë duhej të kishte qenë ajo e përbërë nga Kieza dhe Vlahoviç, e cila në 5 javët e para funksionoi dhe shumë madje, duke qenë se së bashku shënuan 8 gola (nga 4 secili). Por magjinë e kësaj dyshe e ndërpreu vetë Alegri në sfidën kundër Sasuolos, kur vendosi të ndryshojë dhe nga aty e tutje, për arsye dëmtimi apo për një tjetër, dyshja Kieza-Vlahoviç nuk u prezantua më së bashku nga minuta e parë. Madje, nga sfida me Sasuolon Vlahoviç e ka parë vetëm një herë veten nga minuta e parë, në javën e 10-të kundër Veronës… …
– Kundër Leçes, me Kenin e dëmtuar, Alegri zgjodhi Milikun përkrah Kiezës si titullar, zgjidhje që nuk gjeti më vazhdimësi. Nga Atalanta e në vazhdim, njëra nga dy bluzat e repartit titullar ofensiv i’u garantua Mois Kenit për jo pak, por plot 6 ndeshje radhazi në të cilën italiani krijoi repartin me Kiezën në pesë raste dhe në një tjetër me Vlahoviçin, i suportuar pas shpatullave nga Mireti, por me serbin e zëvendësuar në fillimin e pjesës së dytë nga Milik, dyshe kjo që u konfirmua edhe në ndeshjen pasardhëse kundër Milanit (Vlahoviç e Kieza në stol, pas rikthimeve nga dëmtimet)…
– Përfundimi? Ideja është se Juventusi në sulm nuk e ka gjetur ende asetin më të mirë dhe alternimi mes Vlahoviçit e Kenit nuk ka prodhuar as rezultatin brilant që mendohej, por mbi të gjitha nuk ka dhënë as edhe përgjigjet definitive. Në të njëjtën kohë, Kieza dhe Vlahoviç kanë 609 minuta që nuk shënojnë asnjëri, ndërkohë Ken është shfaqur në rënie ndaj Kaljarit, madje duke mos gjetur ende pas 12 javësh edhe golin e tij të parë sezonal. Nëse “gërmojmë” në javët e kaluara, dy golat e fundit nga një sulmues mbajnë firmën e Milikut, konkretisht në javën e gjashtë dhe të tetë, që do të thotë më shumë se një muaj më parë.
Dhe ky numër është më shumë sesa shqetësues duke menduar se dueli i radhës është kundër kryesuesve të Interit. Po, ndoshta është e vërtetë se askush si sulmuesit e Juves nuk ndihmon aq sa homologët e tyre deri në mesfushë e mbrojtje, por për të kërkuar dhe synuar titullin kampion duhen trembur dhe çarë mbrojtjet rivale dhe ndaj Interi për repartin ofensiv të Alegrit është më shumë sesa prova e së vërtetës, me shpresën se Kieza, Ken, Vlahoviç e Milik, kushdo prej tyre që do ta nisë titullar apo do të zbresë nga stoli, të kenë mbyllur hesapet me agjërimin e gjatë.