TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Regjisori i njohur gjerman, Wim Wenders, njoftoi sot se po tërheq nga qarkullimi filmin e tij të vitit 1975 “Lëvizja e Gabuar” (“Falsche Bewegung”), për shkak të një skene ku aktorja Nastassja Kinski, atëherë adoleshente, shfaqet e zhveshur.
“E kuptoj tani se Nastassja Kinski duhej të ishte mbrojtur më mirë”, deklaroi regjisori në një komunikatë, duke i kërkuar njëkohësisht falje aktores, e cila prej vitesh kishte kërkuar heqjen e skenës në fjalë.
Në këtë skenë, aktorja gjermane, atëherë vetëm 13 vjeç, shfaqet e shtrirë në një krevat, ndërsa një burrë i rritur i afrohet.
Në fund të muajit maj, Kinski, sot 65 vjeç, deklaroi në një intervistë për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung se prej vitesh kishte tentuar pa sukses ta bindte Wendersin, tashmë 80 vjeç, të hiqte skenën nga filmi.
“Ishte filmi im i parë, ishte regjisori im i parë dhe ai nuk më mbrojti”, tha aktorja.
“Edhe pse në moshën 13-vjeçare nuk kuptoja ende shumë gjëra, e kuptoja se kjo nuk ishte normale”, shtoi ajo.
Fondacioni Wim Wenders, i cili zotëron të drejtat e shpërndarjes së filmit, do të nisë një “dialog të gjerë” me institucionet kinematografike gjermane për të gjetur “mënyra të përshtatshme trajtimi të filmave të diskutueshëm të shekullit XX”, theksoi regjisori në deklaratën e tij.
“Vetëm pasi të përfundojë ky proces edhe nëse kërkon shumë kohë dhe pasi të arrijmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, përfshirë edhe Kinskin, filmi do të vihet sërish në dispozicion të publikut”, shtoi ai.
Një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë gjermane, Wim Wenders është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Palmën e Artë në Festivalin e Kanës në vitin 1984 për filmin “Paris, Texas”, ku Nastassja Kinski interpretoi rolin kryesor femëror.
Së fundmi, si president i jurisë në edicionin e fundit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale), në muajin shkurt, Wenders shkaktoi debat me deklaratat e tij se kinemaja duhet “të qëndrojë jashtë politikës”.