LIFESTYLE, 14 Dhjetor 2024, 11:04

"VIP"-at e shqetësuar, reagon moderatori: Nëse Parashqevia kërkon ndihmë, do të hapim zemrat. Nëse jo, bëjmë mirë të mbyllim "buçet"

"VIP"-at e shqetësuar, reagon moderatori: Nëse Parashqevia

Moderatori i njohur Edi Oga, i është bashkuar atyre që kanë reaguar në rrjetet sociale për shfaqjen e artistes së madhe Parashqevi Simaku në një qendër komunitare në SHBA, pas më shumë se tre dekadash.

Ai ironizon ata "influencera" në internet të cilët ndajnë video "me lot e me qurra" për të marrë vëmendje, duke shfrytëzuar paturpësisht "fatkeqësitë" e të tjerëve. Sipas Ogës, Parashqevia nuk ka kërkuar as ndihmën e shqiptarëve dhe as të shtetit tonë.

"E përsëris, nëse Parashqevia kërkon ndihmë nga shqiptarët, duhet të hapim zemrat. Nëse jo, bëjmë mirë të mbyllim "buqet"! Jetoni dhe lini të jetojnë", shkruan ai, duke theksuar se nëse ajo ka vendosur të jetojë privatisht me dëshirën, askush nuk ka përse të "qurravitet".

Shënimi i plotë i Edi Ogës:

Për rrjetin, dje ka qenë dita e Parashqevi Simakut. Këngëtarja ikonë e viteve '80 e cila zgjodhi dhe pati mundësi ta transferojë jetën e saj në vendin e mundësive të pafund, në SHBA. Nga çfarë dimë deri tani:

Ajo nuk vuan nga ndonjë sëmundje e pashërueshme.

Ajo nuk vuan asnjë pasojë të ndonjë fatkeqësie natyrore.

Ajo nuk ka raportuar dhunë nga persona të veçantë, përkundrazi, diku lexova se familjarët e kërkojnë prej pesë vitesh.

Ajo nuk kërkon ndihmë nga shqiptarët e Shqipërisë dhe shteti shqiptar. Të paktën kaq dihet, publikisht.

Nëse do të kërkojë ndihmë, DUHET t'ia japim si çdo artisti tjetër të përmasave të saj.

Por nëse ajo ka vendosur të jetojë privatisht, në anonimat, me dëshirën dhe vendimin e saj, për çfarë dreqin shërbejnë ato video me lot e qurra të influencerave me më shumë "kilo" në instagramet e tyre? Përse ata/ato nuk lënë asnjë rast për të marrë vëmendje, duke shfrytëzuar paturpësisht "fatkeqësitë" e të tjerëve?!

E përsëris, nëse Parashqevia kërkon ndihmë nga shqiptarët, duhet të hapim zemrat. Nëse jo, bëjmë mirë të mbyllim "buqet"! Jetoni dhe lini të jetojnë!