LIFESTYLE, 18 Qershor 2025, 19:15

Princesha e Uellsit mungon në Royal Ascot, Kate Middleton vijon rikuperimin nga kanceri

Princesha e Uellsit mungon në Royal Ascot, Kate Middleton vijon rikuperimin

Princesha e Uellsit, Kate Middleton, është tërhequr nga pjesëmarrja e planifikuar në ngjarjen tradicionale të Royal Ascot, teksa vazhdon rikthimin e saj në jetën publike pas diagnozës me kancer.

Burime pranë pallatit mbretëror bëjnë me dije se princesha po përpiqet të gjejë ekuilibrin e duhur në angazhimet publike, ndërsa ndjek me kujdes hapat e rikuperimit të saj.

Catherine është shprehur e zhgënjyer për mungesën në këtë ngjarje madhështore në Berkshire, ku ishte planifikuar të merrte pjesë në procesionin me karrocë.

Ajo ishte planifikuar të merrte pjesë ditën e mërkurë, së bashku me bashkëshortin e saj, Princin e Uellsit, si dhe me Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla. Megjithatë, Pallati Kensington konfirmoi se princesha nuk do të ishte e pranishme në garat me kuaj.

Në karrocën e parë të procesionit mbretëror mbërritën Mbreti, Mbretëresha dhe Princi William, të shoqëruar nga Princi Saud bin Khalid Al Saud, anëtar i familjes mbretërore saudite.

Sipas protokollit fillestar, Princesha dhe Princi i Uellsit do të mbërrinin në karrocën e dytë, së bashku me golfistin Justin Rose dhe bashkëshorten e tij, Kate Phillips. Princi William pritet të ndajë çmimet për fituesit e garave gjatë ditës së dytë të eventit.

Pavarësisht mungesës së saj, në Royal Ascot ishte e pranishme nëna e Catherine, Carole Middleton, e cila mbërriti e shoqëruar nga nusja e saj, Alizee Thevenet, bashkëshortja e James Middleton.

Në mesin e anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore që morën pjesë ishin edhe Princi Edward dhe Princesha Anne.

Princesha Catherine u pa për herë të fundit në publik të hënën, gjatë shërbimit të rendit të Garter në Windsor, ku u shfaq e buzëqeshur dhe në humor të mirë me të afërmit mbretërorë.

Kohët e fundit, ajo ka shpeshtuar daljet publike, përfshirë pjesëmarrjen në ceremoninë “Trooping the Colour” të shtunën, si dhe një vizitë në muzeun V&A East Storehouse më 10 qershor.

Në janar, Catherine zbuloi se ishte në fazën e rikuperimit nga kanceri, pasi kishte përfunduar trajtimin me kimioterapi. Në mars ajo njoftoi publikisht diagnozën, ndërsa në shtator bëri me dije se kishte përfunduar trajtimin. “Fokusi im tani është të bëj gjithçka që mundem për të qëndruar pa kancer,” u shpreh princesha.

Edhe vitin e kaluar, Catherine mungoi në Royal Ascot, duke thënë në atë kohë se ishte “e mahnitur” nga mbështetja që kishte marrë pas njoftimit për sëmundjen dhe se po bënte “progres të mirë”, por ende “nuk kishte dalë plotësisht nga rreziku”.

Royal Ascot, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit veror britanik, zhvillohet përgjatë pesë ditëve në pistën e garave në Berkshire dhe pritet të tërheqë mbi 250,000 spektatorë.

Procesioni me karrocë i Familjes Mbretërore, që sinjalizon fillimin e ditës, këtë vit shënon 200-vjetorin e tij, një traditë që nisi në vitin 1825 gjatë mbretërimit të George IV.