TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pijet energjike, të reklamuara si burim i menjëhershëm i energjisë dhe përqendrimit, në fakt fshehin rreziqe serioze shëndetësore, veçanërisht për të rinjtë që janë edhe targeti kryesor i marketingut agresiv të kompanive prodhuese.
Kafeina: Më shumë shqetësim se sa përqendrim
Shumë mendojnë se kafeina ndihmon për të mësuar dhe për t’u përqendruar, por studimet tregojnë se ajo rrit vetëm vëmendjen e momentit, të nevojshme më shumë për lojëra apo ngarje makine, sesa për procesin e të menduarit të thellë. Doza të larta të kafeinës mund të shkaktojnë nervozizëm, çrregullime gjumi, ankth, dridhje dhe çrregullime të rrahjeve të zemrës, madje edhe kriza epileptike në raste ekstreme.
Çfarë përmbajnë pijet energjetike?
Përveç kafeinës dhe sasisë së madhe të sheqerit, këto pije përmbajnë përbërës si taurinë, guaranë, vitaminë B, xhensen, L-karnitinë, kreatinë dhe ekstrakte të tjera që pretendohen si "stimulues". Sasia e kafeinës mund të arrijë deri në 320 mg për litër, ekuivalente me disa filxhanë kafeje.
Rreziqet për të rinjtë: varësi, obezitet dhe sëmundje kardiake
Sheqeri i lartë në këto produkte krijon një “goditje” të menjëhershme energjie, por edhe rrit rrezikun për obezitet, diabet, dëmtime dentare dhe probleme metabolike. Ndërkohë, efekti i dopaminës që lëshon truri nxit varësinë psikologjike, duke i bërë të rinjtë të kërkojnë gjithnjë e më shumë stimuj.
Studimet paralajmërojnë: rreziqe serioze për zemrën dhe trurin
Studime të shumta (Seifert et al.; Front Public Health) kanë evidentuar raste të aritmive, infarkteve, sulmeve kardiake, çarjeve të aortës, krizave epileptike, deri edhe vdekje të papritur pas konsumit të tepruar të këtyre pijeve, veçanërisht te të rinjtë pa probleme të njohura shëndetësore.
Kush duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm?
Gratë shtatzëna, fëmijët, adoleshentët, personat me probleme kardiake, çrregullime gastrointestinale apo ndjeshmëri ndaj kafeinës duhet t’i shmangin plotësisht pijet energjike. Shoqata Amerikane e Pediatrisë i cilëson ato të papërshtatshme për fëmijët dhe adoleshentët.
A ka ndonjë kufi të sigurt?
Sipas ekspertëve të EFSA dhe Mayo Clinic, një ose dy kënaçe në ditë konsiderohen brenda kufirit të sigurisë për të rriturit e shëndetshëm, por asnjëherë nuk rekomandohet përdorimi i përditshëm i rregullt, sidomos për të rinjtë.
Në fund të fundit: Një reklamë e bukur me pasoja të rënda
Pijet energjike promovohen si pjesë e jetës moderne, por pas imazheve të bukura fshihen rreziqe të vërteta për zemrën, trurin dhe sistemin metabolik. Konsumimi i pakontrolluar mund të shndërrohet nga “adrenalinë e shpejtë” në probleme serioze shëndetësore.