LIFESTYLE, 17 Shtator 2025, 19:43

Në nder të Giorgio Armani, Italia shqyrton t’i japë emrin e stilistit aeroportit të Pantelerias

Në nder të Giorgio Armani, Italia shqyrton t’i japë emrin e

Një propozim për t’i dhënë emrin e Giorgio Armanit aeroportit të ishullit italian Pantelleria po shqyrtohet seriozisht nga autoritetet italiane, si një homazh për stilistin e ndjerë, i cili u nda nga jeta më 4 shtator, në moshën 91-vjeçare.

Arsyeja pas kësaj nisme është lidhja e ngushtë që kishte Armani me ishullin, të njohur si “perlë e zezë e Mesdheut”, ku kalonte rregullisht pushimet verore në pronën e tij private.

Vila e tij, e ndërtuar sipas arkitekturës tradicionale lokale dhe e rrethuar nga mbi 150 palma, ishte për të një “strehë larg botës”, ku priste miq dhe të afërm.

Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC) bëri të ditur të mërkurën (17 shtator) se mbështet zyrtarisht propozimin për ndryshimin e emrit të aeroportit të ishullit, një nismë e paraqitur nga këshilli lokal dhe e mbështetur edhe nga ministri i Transportit, Matteo Salvini.

Presidenti i ENAC, Pierluigi Di Palma, theksoi se emërtimi i aeroportit me emrin e Giorgio Armanit përputhet me planet për modernizimin e infrastrukturës dhe promovimin e turizmit në ishullin Pantelleria, i cili ndodhet mes Sicilisë dhe Tunizisë.