LIFESTYLE, 17 Qershor 2026, 18:46

Këngëtari legjendar i rock-ut Jon Bon Jovi: Jam rikuperuar plotësisht pas operacionit në kordat vokale

Këngëtari legjendar i rock-ut Jon Bon Jovi: Jam rikuperuar

Këngëtari legjendar i rock-ut, Jon Bon Jovi, ka bërë të ditur se është rikuperuar plotësisht pas operacionit në kordat vokale që iu nënshtrua në vitin 2022, një ndërhyrje që kishte ngritur pikëpyetje për rikthimin e tij në skenë.

Në një intervistë për revistën PEOPLE, 64-vjeçari tha se ka punuar për vite me radhë me specialistë të zërit dhe ka ndjekur ushtrime të veçanta për të rikthyer plotësisht aftësinë e tij vokale.

“Jam rikuperuar plotësisht. U desh më shumë kohë nga sa e kisha imagjinuar, por duhej bërë siç duhet. Ne nuk e humbëm kurrë besimin”, u shpreh ai.

Bon Jovi tregoi se gjithmonë është kujdesur për zërin e tij dhe se nuk ka pasur zakone që mund të dëmtonin kordat vokale. Megjithatë, diagnoza se njëra prej kordave po atrofizohej ishte një lajm i vështirë për t’u pranuar.

Këngëtari vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme të anëtarëve të grupit të tij gjatë periudhës së rikuperimit, duke theksuar se ata nuk e lanë asnjëherë vetëm dhe vazhduan t’i qëndronin pranë në çdo provë dhe aktivitet.

Ndërkohë, ai tha se një burim i madh motivimi ka qenë edhe familja, veçanërisht roli i ri si gjysh. Sipas artistit, përvoja e vështirë me shëndetin e ka bërë të vlerësojë më shumë momentet e thjeshta të jetës.

“Dikur mendoja gjithmonë për të nesërmen dhe nuk jetoja të tashmen. Sot vlerësoj çdo ditë, çdo moment me familjen dhe gjërat e vogla që të sjellin lumturi”, tha Bon Jovi.

Grupi i tij pritet të nisë në korrik turneun “Forever”, i cili do të jetë i pari pas katër vitesh dhe rikthimi i parë i artistit në skenë pas operacionit.