LIFESTYLE, 21 Qershor 2025, 20:16

Dasma e Jeff Bezos/ Menu1000 euro për person dhe 500 kuzhinierë, zbulohen detaje nga eventi luksoz

Dasma e Jeff Bezos/ Menu1000 euro për person dhe 500 kuzhinierë,

Mediat italiane e cilësojnë si “shfaqje teatrale” dasmën madhështore të themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, me Lauren Sanchez, e cila pritet të zhvillohet në fund të qershorit dhe do të zgjasë tre ditë. Ceremonia, që do të mirëpresë rreth 200 të ftuar — përfshirë biznesmenë, personalitete të famshme të Hollivudit dhe figura politike — parashikohet të kushtojë mbi 10 milionë dollarë, sipas Wall Street Journal.

Në përgatitjet e jashtëzakonshme përfshihen mbi 80 mijë trëndafila, fustane të dizajnuara enkas për shoqërueset e nuses, shfaqje me dronë dhe holograme, ndërsa shërbimi ushqimor do të kalojë çdo standard luksi: menuja do të arrijë deri në 1000 euro për person. Një ekip prej të paktën 500 kuzhinierësh, stilistësh ushqimi dhe miksologësh do të kujdeset për çdo detaj të festës.

Organizatorja britanike e dasmave Sarah Haywood tha për WSJ se çifti dëshiron që ky të jetë eventi më i paharrueshëm i jetës së tyre dhe i të ftuarve. “Çdo aspekt i ceremonisë është i kuruar në mënyrë të jashtëzakonshme për të lënë mbresa të përjetshme.”

Lista e të ftuarve përfshin emra të njohur si Ivanka Trump me Jared Kushner, Kris Jenner, Kim Kardashian, Katy Perry, Orlando Bloom dhe ndoshta edhe personalitete si Oprah, Bill Gates dhe Miranda Kerr.

Sipas New York Post, pjesëmarrësit do të akomodohen në hotele luksoze si Aman Venice dhe Gritti Palace, me kosto që arrijnë deri në 500 mijë dollarë për natë. Festa do të shoqërohet edhe nga shpenzime shtesë për ankorimin dhe përdorimin e jahtit të çiftit për ekskursione dhe sesione fotografike.

Pavarësisht shpenzimeve marramendëse, çifti ka nënvizuar se po bashkëpunon ngushtësisht me autoritetet lokale për të respektuar ndjeshmëritë e qytetit pritës dhe veçantinë e tij kulturore.