TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sherebela, e njohur si një nga bimët më të fuqishme medicinale, shpesh konsiderohet si antibiotiku dhe antiseptiku më i mirë natyror.
Emri i saj latin, Salvia officinalis, vjen nga fjala “salvare” – që do të thotë “të shpëtosh” ose “të shërosh”. Prej mijëra vitesh, sherebela është përdorur në mjekësinë tradicionale nga romakët, grekët dhe popujt e tjerë të lashtë. Madje gjurmë të saj gjenden edhe në përzierjet e balsamimit të faraonëve egjiptianë.
Përdorimi kryesor i saj është gjethja, e cila merret në periudhën e lulëzimit – zakonisht në maj – kur përmbajtja medicinale është më e lartë. Sherebela është e pasur me vajra esencialë (salviol, pinen, cineol, borneol, kamfor), tanine, substanca të hidhura, proteina, kripëra minerale dhe antioksidantë.
Tradicionalisht, kjo bimë është përdorur për:
inflamacionet e fytit, faringut dhe ngjirjen e zërit,
probleme të aparatit të frymëmarrjes, duke nxitur nxjerrjen e mukusit,
dhimbje barku, diarre dhe probleme me tretjen,
reumatizëm, podagrë dhe çrregullime nervore.
Në studimet mjekësore moderne është zbuluar se sherebela frenon enzimën acetilkolinesterazë, e cila lidhet me përkeqësimin e kujtesës. Kjo e bën një aleat të mundshëm në trajtimin e demencës dhe sëmundjes Alzheimer. Për shkak të vetive antioksiduese, anti-inflamatore dhe hormonale, ajo përdoret edhe për çrregullime nervore dhe forcimin e organizmit.
Përveç mjekësisë popullore, sherebela ka vend të rëndësishëm edhe në gatim si erëz që përmirëson tretjen, nxit sekretimin e tëmthit dhe zvogëlon gazrat. Përdorimet e saj shtrihen deri në pomada antivirale kundër herpesit apo përdorimin e gjetheve të freskëta për qetësimin e pickimeve të insekteve.
Jo rastësisht, Karli i Madh e renditi sherebelën si bimën më të rëndësishme që duhej të kultivohej në manastire për shkak të vetive të saj shëruese.