LIFESTYLE, 26 Mars 2026, 18:15

Anakonda pesë metra të gjata, katër pitonë dhe një lloj krokodili, zbulohet “ferma” e zvarranikëve të rrezikshëm në Bari të Italisë

Anakonda pesë metra të gjata, katër pitonë dhe një lloj

Një fermë e vërtetë klandestine zvarranikësh e fshehur pas një muri të rremë në një bodrum është zbuluar nga karabinierët pyjorë në Bari të Italisë, ku mbaheshin në mënyrë të paligjshme disa zvarranikësh ekzotikë dhe të rrezikshëm.

Operacioni, i kryer nga Njësia CITES e Bari me mbështetjen e efektivëve të Parkut të Alta Murgia, nxori në dritë një situatë të cilësuar alarmante për sigurinë publike.

Në ambient u gjetën kafshë të përmasave të mëdha, ndër të cilat: dy anakonda jeshile rreth 5 metra të gjata dhe me peshë rreth 60 kilogramë secila, një kaiman (lloj krokodili) mbi një metër e gjysmë, i mbajtur në një frigorifer të përshtatur si akuarium, një varan uji (lloj zvarraniku) rreth një metër e gjysmë i gjatë, katër pitonë burmezë rreth 3 metra, katër boa konstriktorë deri në 3 metra dhe ekzemplarë të tjerë anakondash (të verdha dhe boliviane).

Bëhet fjalë për specie që konsiderohen potencialisht të rrezikshme për njeriun, të afta të ushtrojnë një forcë shtrënguese shumë të madhe ose, si në rastin e kaimanit, të pajisura me nofulla jashtëzakonisht të fuqishme.

Verifikimet treguan se të gjitha kafshët mbaheshin pa dokumentacionin e kërkuar nga rregullorja CITES dhe në kushte higjieno-sanitare të papajtueshme me nevojat e tyre.

Zvarranikët ishin vendosur në hapësira të improvizuara dhe të papërshtatshme, pa masa të duhura sigurie, duke krijuar rrezik konkret si për personin që i mbante, ashtu edhe për komunitetin.

Të gjithë zvarranikët u sekuestruan dhe iu besuan strukturave të autorizuara, të afta për të garantuar kujdesin dhe mirëqenien e tyre. Mbajtja e tyre rezultoi të lidhej me një person me precedentë penalë, aktualisht në arrati, i cili është referuar pranë autoriteteve gjyqësore.

Sipas të dhënave të para, prania e kafshëve ekzotike të rrezikshme në kontekste të paligjshme përbën një fenomen në rritje, shpesh i lidhur me forma intimidimi dhe demonstrim të pushtetit kriminal.