IDE, 30 Tetor 2022, 19:35

Vota e shqiptarëve nga tërmeti në cunam

Vota e shqiptarëve nga tërmeti në cunam
Balluku dhe Rama dje në Dibër

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës dyditore në qarkun e Dibrës zhvilloi dje një takim me asamblenë e Partisë  Socialiste në këtë qark. Rama, gjatë takimit, që mbylli vizitën në qarkun e Dibrës, duke uruar ditëlindjen e bashkëkryetares së PS-së Dibër u shpreh:

 “Ne jemi Partia Socialiste e tërmetit. Domethënë e Dibrës ishte tërmet me një kryetar. Me bashkëkryetaren që kishte edhe ditëlindjen që sapo fiku qirinjtë do të jetë cunam”, tha Rama në videon e publikuar.

Termi “tërmet” është u fut në leksikun e zgjedhjeve shqiptare prej vitit 2016 dhe përfundoi në një dosje që drejtësia e ka arkivuar pa të dënuar.

Zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2016 në Dibër, angazhuan makinerinë shtetërore për të fituar patjetër bastionin e drejtuar historikisht nga demokratët. Në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild.de”, fjala “tërmet" e shprehur nga ish-ministri i Infrastrukturës dhe Transporteve, Damian Gjiknuri, tregoi pikërisht investimin me burime njerëzore dhe monetare për të marrë pushtetin vendor, duke futur në lojë drejtuesit e institucioneve vendore për të detyruar të punësuarit në shtet që të jepnin votën për partinë në pushtet.

Dosja “184” me përgjimet e publikuara nga drejtuesit vendorë, Gjiknuri, Ulsi Manja, deri te kryeministri Rama, pasi bëri një xhiro 3-vjeçare  nga Dibra në Tiranë dhe kthim, tani quhet e mbyllur edhe pse në të u zbuluan krime zgjedhore që dënohen nga Kodi Penal.

Mbyllja e kësaj dosjeje i ka lënë të hapura dyert për ripërsëritje. Ndaj duhet besuar Rama në fjalët që thotë. Dhe do të jetë edhe më keq. Tërmeti që ndodhi 6 vite vite më parë në Dibrën e varfër, shërbeu si projekt pilot për cunamin e zgjedhjeve vendore që partia në pushtet u premton shqiptarëve për zgjedhjet e 14 majit 2023.