IDE, 6 Gusht 2022, 19:08

Vetëm drejtësia nuk mjafton!

Vetëm drejtësia nuk mjafton!

Ndryshe nga çfarë ka relatuar Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP), e cila e akuzoi oficerin e policisë Arian Tase “për vrasje nga pakujdesia” për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Potam të Himarës pak ditë më parë ku mbeti e vrarë vogëlushja shtatëvjeçare Jonada Avdia, Prokuroria e Vlorës e akuzon shkaktarin e tragjedisë “për vrasje me dashje indirekt”, duke arsyetuar mes të tjerash se “edhe pse nuk e ka dëshiruar ardhjen e pasojës, pra vdekjen e shtetases së mitur, me veprimet e kryera, ai me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës”.

Pa dashur të merrem me këtē anë të çështjes e cila është e gjitha në autoritetin e plotë të organit të akuzës, ç’ka më tej do të shqyrtohet e vendoset nga gjykata, pra nga drejtësia, dua të nënvizon se vetëm DREJTËSIA nuk mjafton.

Për më tepër, nuk mjafton as vetëm çfarë ka thënë me reagimet e veta në twiter kryeministri Edi Rama në disa cicërima të njëpasnjëshme të tipit: “Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s'ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen. Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t'u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse!”

Ngjarja e rëndë, pasoja e dhimbshme që u shndërrua në tragjedi për familjen Avdia, e cila kishte ardhur prej larg në atdheun e vet të kalonte disa ditë pushim në bregdetin e rivierës shqiptare, imponon detyrimisht më shumë përgjegjësi se sa vetëm “që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t'u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse”.

Në të kundërt, nuk ka asnjë garanci që raste të ngjashme apo edhe më të rënda nuk do të ndodhin më.

Rasti në vetëvete si një ngjarje shumë e rëndë padyshim meriton një tjetër qasje e sjellje nga ana e qeverisë, meriton një tjetër analizë dhe mënyrë reagimi, meriton një tjetër përgjegjësi, sepse në të implikohen disa institucione, të cilat edhe nga një analizë e thjeshtë e nga jashtë qeverisë, rezultojnë të kenë dështuar në marrjen e masave që të garantojnë një sezon turistik normal e pa incidente që vijnë prej mosveprimit parandalues të institucioneve shtetërore përgjegjëse.

Pra, mësimet e duhura nuk duhet t’i nxjerrin vetëm drejtuesit e Policisë së Shtetit, siç rreket ta lerë problemin në “oborrin” e policisë zoti Kryeministër, por më sëpari, mësimet e duhura duhet t’i nxjerrë ai vetë dhe të na dëshmojë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri përmes reagimesh e veprimesh konkrete, të denja për njeriun që drejton qeverisjen e vendit.

Unë nuk di (publikisht nuk është thënë gjë!) që të jetë bërë ndonjë analizë në qeveri, për të evidentuar se si kanë funksionuar masat e parashikuara në aktet ligjore e nënligjore për parandalimin e incidenteve dhe të ngjarjeve të rënda në bregdetin shqiptar.

Për rrjedhojë, nuk është bërë e qartë se përveç Policisë së Shtetit çfarë përgjegjësish kanë institucionet e tjera, përkatësisht edhe drejtuesit e atyre institucioneve, dhe nëse duhet apo jo, që edhe ata “të nxjerrin mësimet e duhura”?!

Ndaj e përsëris që vetëm drejtësia nuk mjafton. E më keq akoma, po përdoret drejtësia si gomone shpëtimi, në mos për të fshehur, të paktën për anashkalimin e përgjegjësive të institucioneve të tjera shtetërore, që prej qeverisë e disa ministrive, e deri tek agjensitë e shumta, inspektoriatet pafund në varësi të ministrive apo organeve lokale të qeverisjes.

Ngjarja është shumë e rëndë. Ajo është pasojë e një mori shkeljesh që nuk mund të mbyllen vetëm me arrestimin dhe dënimin eventual të vrasësit.

Drejtësia duhet të bëjë punën e saj padyshim, por ajo nuk mund të zëvendësojë as në këtë rast punën e pabërë të qeverisë.

Sepse qeveria ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e veta për të garantuar sigurinë në plazhe, dhe jo vetëm Ministria e Brendëshme, por edhe ministritë e tjera; ajo e turizmit, e mbrojtjes, e infrastruktures dhe agjensitë në varësi të tyre janë po aq sa edhe Policia e Shtetit përgjegjëse për vrasjen e vajzës së vogël shtatëvjeçare, të cilës, mosveprimi i institucioneve të shtetit për të parandaluar një polic shkelës të rregullave, i mori jetën në bregun e detit me emrin prej nga ku prindërit e saj tropojanë patën marrë emrin Joniada.

Në këto raste, dorëheqja e një apo disa ministrave, edhe pse ai apo ata formalisht nuk kanë përgjgjësi të drejtpërdrejtë ligjore, është shenjë reagimi prej përgjegjësisë njerëzore, morale dhe qytetare.

E kur ministri nuk e ndjen të shfaqet në këtë nivel përgjegjshmërie, atëherë ndërhyn Kryeministri dhe shkarkon nga detyra të gjithë ata që nuk kanë më sëpaku ndjeshmërinë njerëzore të reagimit, për të krijuar kësisoj disa standarde morale të sjelljes prej politikanësh qytetarë.

Ndaj vetëm drejtësia nuk mjafton. Tani duhet të reagojë Kryeministri. Dhe reagim nuk janë cicërimat në Twitter, janë veprimet konkrete përkundër emrave konkretë me përgjgjësi konkrete.

Joniadës së vogël, mosveprimi parandalues i shtetit dhe papërgjegjshmëri e një polici shkelës të rregullave, i mori jetën në breg të Jonit, aty ku gjaku i saj akuzon dhe pret reagimin e Kryeministrit që Joniada të tjera të mos i vrasë papërgjegjshmëria, arroganca, babëzia dhe mosveprimi shtetëror.