TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Librari “Albania” po mbledh rraqet e fundit. Dhjetëra kuti kartoni të mbushur me libra do të çohen kushedi ku, librarët po nxitojnë të heqin titujt sa të munden duke bërë oferta panairesh, ndërsa shkrimtarët po likuidohen për kopjet e shitura.
Libraria më e njohur në Tiranë po vdes. Lajmin ma kishte dhënë profesor Përparim Kabo gjatë baritjes në rrugët e ish-Bllokut, dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit, kur me trishtim tregoi me kokë pas shpine fasadën e biznesit dy katesh, me të cilin u lidh jeta e shumë njerëzve në dy dekadat e fundit. Por nuk prisja të jepte shpirt kaq shpejt.
Së shpejti dy katet e librarisë më të famshme të Tiranës (që po bëhet për rahmet), do t’i zërë ndoshta ndonjë butik rrobash, fast food, a larg qoftë ndonjë night club, me të cilët është mbushur dingas perimetri i ngushtë e jetës boshe të analfabetëve funksionalë të Shqipërisë.
Libri nuk është në modë prej vitesh. Brezat po i zë leximi. Libri dhe libraria po vdes, por vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, duke pasuar rrënimin e kinemave, teatrove.
Shikoni Kosovën. Bookstore madhështorë dhe me titujt më të mirë të hapësirës shqiptare dhe botërore kanë zënë vendin e merituar në qendrat luksoze tregtare e ku të munden dhe qeveria krenohet se ka mbështetur botuesit dhe librin.
Për qeverinë dhe politikanët e Shqipërisë libri nuk ekziston. Në rrjetet sociale të kryeministrit të vendit, që e mban veten artist dhe shkrimtar, nuk gjen asnjë shënim për librat dhe libraritë e Shqipërisë. I vetmi është një postim i 2 shtatorit 2022 për libraria më të madhe lundruese në botë “Logos Hope” që udhëton prej viteve '70, e ka pritur e përcjellë rreth 46 milionë vizitorë, e që atë ditë preku edhe brigjet shqiptare, duke u ndalur në Portin e Vlorës ku qëndroi gjatë gjithë muajit shtator me plot 5000 tituj librash, e ku shërbejnë 300 persona vullnetarë.
Qendra KOD e kryeministrisë është shumë pak për të qenë një log i denjë për librin. Qeveria nuk ka dhënë asnjë cent për rrjetin e librarive, për të mbështetur botuesit dhe shkrimtarët. Kryeministrit ka treguar se kurrë nuk i dhemb koka për këtë pjesë edhe pse është vetë autor dhe e di se çfarë kalvari është të botosh një libër dhe aq më shumë të shpërblehesh prej tij.
Erion Veliaj, që sapo ka fituar mandatin e tretë 4-vjeçar si kryetar bashkie, nuk ka një postim të vetëm për librin dhe libraritë. Institucioni që ai drejton, prej vitit 2016, ka shpërndarë nëpër miq e shokë, kritikë dhe kundërshtarë që u duhet mbyllur goja me shuka milionash, rreth 2 miliardë lekë në vit, për të ashtuquajturat “projekte kulturore”, ku financohen koncerte bajate, fushata se si t’i japim biçikletës, marrim frymë, apo përdorim tualetin. Për librin asnjë qindarkë.
Edhe Belind Këlliçi, kryetari në tentativë i bashkisë së Tiranës, që ndoshta do të kishte fituar më shumë vota po të premtonte libra falas se sa udhëtimin me urban, nuk flet dhe nuk shkruan për librat, vetëm kur ia dhuron një të vetin akademiku Apolon Baçe.
Dhe më e keqja është se Këlliçi apo Veliaj kanë shpenzuar vitet e jetës akademike në SHBA, në vendin ku bookstore nuk është thjesht për shitur librat, por vendi ku njerëzit mblidhen, meditojnë, hyjnë në intimitet me botën e shkrimit dhe të leximit.
Librari “Albania” nuk do të jetë më. Mbyllja e saj nuk është ulje qepeni e një biznesi, proces që ndodh rëndom në shoqëritë e tregut të lirë, por një gur kilometrik që shënon rrëshqitjen e frikshme të shoqërisë shqiptare drejt injorancës, padijes, mungesës së leximit, dhe triumfit të modeleve të ndyra të show bizz, “BBV-ve, VIP-ave që e dinë Skënderbeun pensionist të datëlindjes 1956 dhe mbretërve të klikimeve online për sharje, mashtrime dhe fyerje ordinere, tallavasë dhe trushplarjes, për të cilat kanë punuar kaq shumë qeveritë e Shqipërisë dhe ia arritën ta bëjnë me sukses.