IDE, 16 Nëntor 2022, 11:31

Tërbimi i Ramës pas zbulimit të faljes së Portit të Durrësit

Tërbimi i Ramës pas zbulimit të faljes së Portit të
Rama dhe Alabar, duke parë maketin e Portit të Durrësit

Pas disa ditëve të mbushura me fakte, prova shkresore dhe analiza se i ashtuquajturi projekt futuristik i Portit të Durrësit, është vetëm një plaçkitje alla-shqiptare e portit më të madh, më të vjetër dhe më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe rajonit, për të ndërtuar pallate dhe hotele me çmim të kripur, siç është betonizuar gjithë vija bregdetare, Rama u shfaq sot edhe më i inatosur. Ai këmbënguli se është po ai projekt që flitej dy vite më parë, kur shqiptarëve u premtohej Dubai i Evropës.  

“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon, i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra!”, shkroi Rama.

Historia e fakteve është kundër tij dhe ai e ka kuptuar tashmë se nuk ka mbetur asnjë provë që të justifikojë fshirjen e portit të të ndëtuar një “Bathore turistike”, me 12646 apartamente, minimumi 1500 euro metri, faljen e mbi 800 mijë metrave katrorë tokë mu në bash të vendit, zhvendosjen e portit për ndërtimin e të cilit do të duhen rreth 2 miliardë euro që do ta paguajnë shqiptarët. Është faktuar tashmë se pas këtij operacioni fshihet një zhvatje enorme e pronës publike për një grusht njerëzish, me të njëjtën skemë si edhe në portin e Vlorës, Sarandës dhe kudo ku ka prona publike që duhen zhvatur.

Në dhjetor 2021 “Emaar Group” dhe Emiratet e bashkuara Arabe njoftuan se do të tërhiqen nga Porti i Durrësit dhe në vend të kompanisë 15.5 milidarë dollarë të ardhura, në portin e Durrësit, Mohamed Alabbar vendosi të sjellë një tjetër kompani të tij, të regjistruar në ishujt Cayman, si kompani offshore. Gati një vit më parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pranonte se: “Ashtu siç edhe mund të jeni në dijeni nga eventi i realizuar me datë 16 Prill 2021 në Portin e Durrësit ku u prezantua publikisht Projekti Marina & Jahtet e Durrësit” (Durrës Yachts & Marina)” nga Z. Mohamed Alabbar, qeveria shqiptare në zbatim të Marrëveshjes “Mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, ratifikuar në Shqipëri përmes Ligjit 145/2020, si dhe në përputhje me Planin Kombëtar Sektoral për Transportin Detar dhe Infrastrukturën Portuale ka ndërmarrë një sërë veprimesh në përgjigje të interesit të shprehur pranë Agjencisë Shqiptarë të Investimeve Strategjike, nga shoqëria “Symphony Real Estate Development sh.p.k”, për zhvillimin e Portit të Durrësit. Shoqëria Symphony Real Estate Development sh.p.k e identifikuar me NUIS M11726006H zotërohet plotësisht nga subjekti “Symphony Invest Limited”, që në vetvete është pjesë e grupit të shoqërive të Z. Mohamed Alabbar, i cili prej vitesh është drejtues në kompaninë EMAAR. Subjekti propozues për ndërrimin e këtij projekti është tërësisht privat dhe qeveria e UAE nuk ka aksione. Pavarësisht sa më lart, risjellim në vëmendje se zbatim të Marrëveshjes “Mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, ratifikuar në Shqipëri përmes Ligjit 145/2020, Zhvillimi i Portit të Durrësit është një nga tre projektet e dakordësuar nominalisht, për të cilat qeveritë janë zotuar që do të lehtësojnë dhe ndihmojnë subjektet e interesuar për investime të ndërsjellta”.

Pra nuk ka “Emaar Group”. Ka rënë premtimi i Ramës në korrik të vitit 2021, duke prezantuar maketin e Portit të Durrësit, ku shprehej se ishte hartuar nga “Emaar Group”: “Mirëmëngjes dhe me maketin e përfunduar në studion urbanistike të Emaar Group në Dubai, që tani ndodhet në Portin e Durrësit, aty ku së shpejti do të nisë të ndërtohet një prej porteve më të mëdha e më të bukura turistike të Mesdheut, ju uroj një ditë të mbarë”.

Me këto është rrëzuar marrëveshja e nëntorit 2020, mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për transformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit. Në vend të saj është një “Joint Venture” mes kompanisë offshore të Alabbar dhe qeverisë shqiptare.

Pamjet spektakolare të Dubait të Evropës që premtoi Rama do të katandiset me dhjetra pallate të Durrësit, të ndërtuar në qindra hektarë tokë shtetërore në portin e Durrësit, të marrë falas.