TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Fillimi i punimeve për ngritjen e teatrit të Bjarke Ingels mbi rrënojat e Teatrit Kombëtar, ish vepër e arkitektit italian, Giulio Bertè, e ka vënë opozitën në një provë delikate, për mënyrën se si do të reagojë ndaj këtij akti, që sipas saj është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Mes zotimit për të mos lejuar ndërtimin e ri dhe mundësisë reale për ta penguar atë, luhet në një fill të hollë gjithë besueshmëria e opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
Filozofia mbi të cilën po ringrihet opozita e Berishës, është pikërisht ajo e njehsimit të fjalëve me aktet. Të angazhimeve publike me vendimarrjen që u shkon deri në fund atyre.
Duke iu referuar opozitës së Bashës si ilustrim i aksioneve të lëna në mes, i vendimeve të këmbyera me pazare, i kontrastit të thellë mes premtimeve publike dhe veprimeve të dështuara, Berisha e ka shestuar rikthimin e tij mbi parimin e çuarjes deri në fund të kauzave opozitare.
Mirëpo, për shkak të kësaj të shkuare dhe dyshimeve se “bashizmi” si model opozitar po mbijeton edhe tek opozita e sotme, kjo e fundit është e dënuar të mos besohet më për fjale por të gjykohet vetëm nga aktet. Premtimet solemne se Teatrin do e mbrojmë me jetët tona, se trau i rrugës së kombit do të vendoset vetëm duke kaluar mbi trupat tanë, se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën, se nuk do lejojmë votime moniste, se do ta rrëzojmë regjimin me protestat tona, et, etj, janë një gur i rëndë që ka çuar teposhtë besimin qytetar tek opozita. Dhe ky gur, pavarësisht kohës së shkurtër të rikthimit të Berishës, peshon fort edhe në qafën e tij.
Partia Demokratike nuk e ka më luksin e marrjes së angazhimeve publike vetëm me deklarata, konferenca shtypi e fjalime të nxehta në Kuvend. Prandaj, një premtim publik për moslejimin e ngritjes së teatrit të ri në vendin ku u shemb i pari, është më mirë të mos merret se sa të lihet në mes. Një gjë e tillë do ta bënte të kotë dhe qesharake opozitën e rithemeluar post Basha.
Sali Berisha tha sot për fillimin e punimeve të pagëzuara nga Rama e Veliaj se “kjo është një sfidë e hapur, jo vetëm për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, por për opozitën në radhë të parë”. Pra ai e ka të qartë se gjendet përpara një sfide. Nëse do të shpallë zotimin e opozitës për të penguar këtë projekt, atëherë duhet të llogarisë forcat për t’iu përgjigjur qeverisë me mosbindje civile, ose në të kundërt do ta “dënojë” atë me deklarata dhe padi në gjykata.
Çështja e Teatrit është një rast ku elementët në favor të një aksioni opozitar janë thuajse perfekte. Opinioni publik thuajse në shumicë ka qenë kundër shkatërrimit të një vlere historike dhe pamjet drithëruese të rruspave mbi trupin e godinës 80 vjeçare e rritën revoltën e kryeqytetasve. Organizatat më në zë ndërkombëtare, mediat më të njohura europiane dhe personalitete botërore, e dënuan aktin e dhunshëm e arrogant të qeverisë shqiptare. Gjykata Kushtetuese dhe juristë profesionistë evidentuan një mori shkeljesh që çuan në rrënimin e veprës unike arkitekturore./Lapsi.al